Gazetari serb Radomir Dimiç ka kritikuar Aleksandar Vuçiqin për gjuhën ndaj kundërshtarëve politikë, duke e akuzuar për etiketime dhe kërcënime gjatë fushatës parazgjedhore.
Në deklaratën e tij, Dimiç ka kundërshtuar shënjestrimin e liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët, sipas tij, janë bashkuar për të garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 25 tetor.
“Me çfarë të drejte, zotëri, i shënjestroni dhe i kërcënoni liderët e Luginës së Preshevës vetëm për faktin se janë bashkuar për të garuar së bashku në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 25 tetor?”, ka pyetur Dimiç.
Gazetari ka kritikuar edhe sulmet që, sipas deklaratës së tij, Vuçiqi ka drejtuar ndaj djalit të ministrit në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pasi ai kishte vallëzuar valle popullore me studentët në Nish. Dimiç e ka cilësuar këtë sjellje si të papajtueshme me demokracinë dhe tolerancën politike që Vuçiqi pretendon se përfaqëson.
“Zoti Vuçiq, ju nuk po zhvilloni një fushatë zgjedhore demokratike. Ju po zhvilloni luftën tuaj personale, i vetëm kundër të gjithë atyre që duan ta shpëtojnë vendin nga ju dhe nga regjimi juaj kriminal”, ka deklaruar ai.
Në përmbyllje, Dimiç ka shprehur bindjen se kundërshtimi ndaj pushtetit të Vuçiqit mund të shënojë një fillim për drejtësinë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.