Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve i gjen zjarrfikësit në Kosovë në gjendje të rënduar

Me rastin e ditës së zjarrfikësve, Sindikata e Zjarrfikësve në Kosovë kërkon nga institucionet e vendit  që të punojnë më shumë për tejkalimin e gjendjes së rënduar të zjarrfikësve, për krijimin e kushteve normale të punës dhe ngritjen e kapaciteteve operative

Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve shënohet çdo 4 maj. Në këtë ditë zjarrfikësit nderohen në mbarë botën dhe falënderohen për punën e madhe që bëjnë, për përkushtimin, duke vënë edhe jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur jetën e të tjerëve.

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, në këtë ditë ka reaguar duke thënë se kjo ditë në Kosovë i gjen ata në gjendje jo të mirë, me status të pazgjidhur dhe të padefinuar sa i përket kushteve të pajisjeve të punës, e që sfida kryesore për zjarrfikësit e Kosovës mbetet moszbatimi i ligjeve.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, ka deklaruar për vështirësitë me të cilat janë duke u përballur tash e sa vite. Ai ka thënë se kushti kryesor që duhet të plotësohet është angazhimi i punëtorëve të rinj, pasi mosha mesatare e zjarrfikësve që punojnë është 50 vjeç, e që mbulimin e bëjnë edhe në komunat e tjera.

Latif Zeka, komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë

“Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë mbulon punën në komunën e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës me shumë vështirësi, pasi çdo komunë duhet të ketë zjarrfikës aq sa është edhe popullata në komunën përkatëse, sepse kur ka nevojë për ndihmë në komunat të tjera ne duhet të dërgojmë ne punëtorët” ka thënë Zeka për RTV Dukagjinin.

Po ashtu, sipas tij, çdo komunë duhet të ketë minimumi 150 zjarrfikës, duke marrë parasysh numrin banorëve në Prishtinë që vetëm shkon duke u rritur.

Problem tjetër për zjarrfikësit që Zeka e vuri në pah është nevoja e pajisjeve, pasi nuk janë të mjaftueshme.

Ai theksoi se komuna e Prishtinës duhet të ketë së paku edhe tri pika të tjera, duke nisur nga Kodra e Diellit, në Gërmi dhe në Veternik, pasi është i pamundur mbulimi i shpejtë i punës.

“Prishtina duhet të ketë së paku edhe tri pika të tjera të zjarrfikësve, se nuk po mund të mbërrijmë më shpejt se gjysmë ore, shkak edhe i dendësisë së komunikacionit, e po ashtu ne duhet të shkojmë edhe në vende ku janë fusha malore që bëjmë me orë  të tëra deri të shkojmë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Zeka.

Shumë shkelje të së drejtave ndaj tyre, sipas tij, nuk janë marrë parasysh, duke theksuar mungesën e sigurimeve shëndetësore.

“Sigurimet shëndetësore për zjarrfikësit janë absolutisht të anashkaluara për rreth 23 vite, e që “çdo lëndim duhet të shërohet dhe të paguhet nga xhepi” ka deklaruar Zeka.

“Askush nuk merr përgjegjësinë që iu takon si punëdhënës që të përkujdeset për të përmbushur obligimet që dalin nga aktet ligjore dhe nga kontrata e themelimit të marrëdhënies së punë, dhe konsiderojmë se këto shkelje ligjore e diskriminime po rëndojnë mbi supet e zjarrfikësve”, thuhet në reagimin e Sindikatës, shkruan KSP, transmeton RTV Dukagjini.

Duke shpresuar se ky do të jetë vit i kthesës dhe realizimit të të drejtave dhe përmirësimit të gjendjes për zjarrfikësit e Kosovës, sindikata edhe një herë i ka bërë apel Qeverisë dhe kryetarëve të komunave t’ua plotësojnë kërkesat dhe të angazhohen për tejkalimin e gjendjes.

Gjithashtu, u është bërë thirrje Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) dhe kryetarëve të komunave, që me rastin e ditës se zjarrfikësve të vizitojnë shërbimet e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Kosovë, për t’u solidarizuar me punën që ata bëjnë, si dhe për të parë nga afër problemet me të cilat janë duke u përballur

Me rastin e shënimit të “Ditës Botërore të Zjarrfikësve”, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me ekipin e tij do ta vizitojnë Brigadën e Zjarrfikësve të Kosovës.

Ndërsa, për të shënuar këtë ditë, në mbarë botën mbahen aktivitete të ndryshme, si vetëdijesimi nëpër shkolla, përkujtimi i atyre që kanë humbur jetën në detyrë.

Shumë prej tyre kanë bërë dhe bëjnë sakrifica të panumërta vetëm për hir të sigurisë publike dhe shpëtimin e jetëve nga incidentet tragjike.

Pra, për të nderuar punën, sakrificat, guximin dhe përkushtimin e tyre çdo vit, 4 maji festohet si Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve. Shënohet për të nderuar ata ekspertë zjarrfikës që vazhdojnë të jenë aty gjithmonë për sigurinë e secilit në vend e, gjithashtu, për të nderuar ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Më 4 maj, njerëzit në botë mbajnë një distinktiv simbolik të bërë nga shirita të kuq dhe të kaltër për të falënderuar të gjithë zjarrfikësit martirë.

 

Kjo sepse, e kuqja dhe ngjyra e kaltër janë elementet kryesore të punës së një zjarrfikësi, e kuqja tregon zjarrin dhe kaltërsia simbolizon ujin.

Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve është shënuar pas një incidenti tragjik që kishte ndodhur në qytetin Linton të Australisë, më 2 dhjetor 1998. Në incidentin e tmerrshëm, pesë zjarrfikës kishin humbur jetën duke u përpjekur të shuanin një zjarr.

Pas tragjedisë, më 4 janar 1998, u dërgua një propozim për të gjithë kombet për të nderuar zjarrfikësit trima dhe për të nderuar ata që sakrifikuan jetën e tyre.

Aspekti tjetër kryesor i Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve është parandalimi i tragjedive të tilla dhe shprehja e nevojës për përmirësimin e trajnimit intensiv dhe të plotë. Pra, festohet duke mbajtur jo vetëm shiritat kuq dhe kaltër, por edhe duke ndihmuar për nevojat që ata kanë, përfshirë ndihmën mjekësore dhe mirëqenien e pensionistëve ish-zjarrfikës.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika