Ditën e çlirimit Skenderaj e shënon me shtatoren e Leotrimit 7-vjeçar

Në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, në qendër të qytetit është vendosur shtatorja e Leotrim Ahmetit, djaloshit 7-vjeçar që ishte plagosur nga granatimet e forcave serbe. Nëna e tij Shukrie Ahmeti, pas luftës kishte rrëfyer historinë e trishtë të birit të saj.

“Kam vrapu i thash çka ki o djali jem, më tha nanë edhe unë e kam qky barkun, m’kanë dalë zorrët…”.

Zonja që po flet është Shukrie Ahmeti, burrin Malushin e ka dëshmor, e djalin martir, Leotrimin 7 vjeç.

Saktësisht në oborrin e kësaj shtëpie në fshatin Rezallë në Skenderaj, më 11 shtator 1998, Leotrimi 7 vjeç nënës Shukrie i tregon se nga granatimet e forcave serbe, barku i është shqyer e organet i kanë dalë jashtë. Leotrimi jetoi edhe tri orë dhe më pas vdiq në spitalin ushtarak në Gradicë.

Me fjalët në mendje, “Oj nanë, kqyre se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmurë prej barkut”, për ditë e ndoshta javë, skulptori Sabri Behramaj e ka gdhendur shtatorin e Leotrimit. Pos kësaj fjalie në përshkrim, shtatores së 7-vjeçarit, Behramaj ia ka shtuar edhe një libër në dorë.

“Është koha kur ka filluar shkolla, është koha kur Leutrimi është dashur t’i kryejë detyrat dhe të shkojë në shkollë, dhe përnjëherë ndërroi historia e Leotrimit (qan)…”, ka thënë Behramaj.

Në ditën e çlirimit, në Skenderaj, nga Rezalla ka ardhë edhe nëna Shukrie. Ashtu si në kohën e luftës. E fortë, pa i rënë asnjë lot, heq mbulesën e kuqe mbi shtatoren e djalit.

“Ju flet Kosova e lirë…”.

Sebep për ndërtimin shtatores ishte bërë një intervistë e pasluftës, e realizuar nga gazetari e publicisti, Nusret Pllana.

“Si Leotrimi të cilin sot po ia kthejmë Skenderajt si shenjë kujtese se në Kosovë nga dora e armikut tonë shekullor janë vrarë dhe zhdukur 1432 fëmijë”, ka thënë Pllana.

Vendosja e shtatores së Leotrimit u bë në ditën e çlirimit të Skenderajt. Sigurisht të pranishmit në manifestimin e organizuar nga Komuna nuk e lanë pa e përmendur familjen Jashari, bashkë me kryekomandantin, Ademin.

“Ai si 7 vjeçar do të na tregojë e ligjërojë edhe mbi konventën e OKB-së mbi të drejtat e fëmijëve do të na tregoj edhe për konventat e luftës”, ka thënë kryetrari, Fadil Nura.

“Se çfarë ka përjetuar një fëmijë e një nënë shqiptare këto vet kuptohen nga intervista e nënës Shukrie që sot është gdhendur në lapidarin e birit të saj 7 vjeçar”, ka thënë nipi i Malush Ahmetit, Milaim Ahmeti.

Pos fjalimeve, në nderim të Leotrimit dhe ditës së çlirimit, u kënduan këngë, u shfaqën dokumentar, e madje fëmijë ndoshta sa mosha e përafërt e Leotrimit vendosën lule pranë shtatores së tij.

Leotrim Ahmeti është djali i Malush Ahmetit. Tetë muaj pas vdekjes së Leotrimit edhe babai Malushi ra dëshmor i veshur në uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Kosovë gjatë luftës janë vrarë 1432 fëmijë, ndërsa vetëm në Skenderaj forcat serbe vranë 186 fëmijë.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika