Djegia e arava më shumë dëme se dobi, agronomët bëjnë thirrje të ndalet kjo dukuri

Ekspertët e fushës së bujqësisë shpjegojnë se tradita e djegies së arave nga fermerët vazhdon me mungesën e alternativave të qëndrueshme për pastrimin e mbetjeve të bimëve, edhe pse kjo sjell pasoja të rënda për mjedisin dhe ekosistemin

Fotografi ilustruese

Me përfundimin e sezonit të korrjes së grurit dhe korrjeve të bimëve të tjera zjarret që shpërthejnë tymin e zi bëhen një pamje e zakonshme nëpër tokat bujqësore në Kosovë. Quhet “djegia e kashtës” – një mënyrë e lirë dhe e lehtë për t’u marrë me mbetjet e të korrave që kanë nevojë për pastrim për sezonin e ardhshëm të mbjelljes.

Edhe pse teknikisht ilegale, në një ditë të vetme, Kosova ka përjetuar një numër prej 12 rastesh të zjarrvënieve të qëllimshme në fushat e saj.

Brigada e zjarrfikësve, të cilët po merren me numrin alarmant të rasteve të tilla, e kanë vlerësuar si shqetësuese pasi që një numër i tillë i ndërhyrjeve brenda 24 orëve është i lartë dhe tregon për një problem serioz në shoqërinë kosovare.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, për portalin Dukagjini, ka thënë se kjo dukuri nuk ka shpjegim të qartë, përveç faktorit të njeriut.

“Zakonisht po kemi shumë raste, brenda 24-orëve 12 raste i kemi mesatarisht ka numër shumë të madh të intervenimit, ne kemi shpresuar që këtë vit kemi me pas shumë më pak intervenime se vitet e kaluara për shkak se kemi bërë apel që mos të ndizen zjarret, por prapë se prapë kanë vepruar njëjtë. Ato janë nga faktori i njeriut, nuk mundem me kuptu se pse i shkaktojnë ato zjarre. Krejt çka mundem me thënë se këto zjarre fushore janë ka ndodhin nga faktori i njeriut”, ka deklaruar  Gashi.

Pse disa persona vazhdojnë të ndezin zjarre në arat e tyre mbetet një mister, ka thënë tutje ai.

Megjithatë, një gjë është e sigurt sipas tij, zjarret fushore janë të rrezikshme për jetën e njerëzve, pasurinë dhe ekosistemin tokësor. Edhe një zjarr i vogël në këtë kontekst mund të përhapet shpejt dhe të sjellë dëme të pamendueshme, ka thënë Gashi.

Brigada e Zjarrfikësve ka bërë apel të përsëritur për të kufizuar zjarrvënien e qëllimshme dhe për të raportuar menjëherë çdo incident të tillë.

Megjithatë, kjo dukuri vazhdon të përsëritet, ndërkohë që kapacitetet e tyre janë më pak se të duhurat.

“Ka një mungesë personeli dhe vjetërsia e zjarrfikësve është shqetësuese, pasi mesatarja e moshës është mbi 48 vjeç, një moshë që konsiderohet tejet e shtyrë për këtë profesion”, është shprehur Gashi.

“Burgim deri në 3 vjet për zjarrvënien në ara, mbi 10 vjet ose dënim i përjetshëm në rast të humbjes së jetës”

Në periudhën janar-gusht të këtij viti, Policia e Kosovës, siç ka bërë të ditur për portalin Dukagjini, janë raportuar 164 raste të zjarrvënies, por nuk ka specifikuar se sa prej tyre kanë ndodhur në arat bujqësore.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës ndëshkon me rreptësi veprat e zjarrvënies së qëllimshme në toka bujqësore. Ai parasheh se çdo person që ndez zjarrin ose shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit të pasurisë së një personi tjetër, rrezikon të dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Për më tepër, në rast se kjo vepër rezulton në humbjen e jetës së një individi, Kodi Penal i përcakton një dënim më të rëndë. Kryesi i një të tillë vepre dënohet me së paku 10 vjet burgim ose edhe me dënimin e përjetshëm.

Djegia e fushave “ndikon negativisht në shëndetin e tokës”

Eksperti Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, ka shpjeguar se kjo dukuri është një traditë që ka rezistuar në kulturën bujqësore, megjithëse pasojat e saj janë të dëmshme.

Profesori Rusinovci ka theksuar se zjarrvënia e qëllimshme shkakton disavantazhe të mëdha, duke përfshirë rrezikimin e pasurisë dhe pasigurinë për objekte dhe individë.

Ky akt, siç ka thënë ai shkakton dëme të mëdha në ekosistemin tokësor, duke shkatërruar mikro-florën, mikro-faunën, dhe mikro-organizmat.

“Realisht çrregullohet i tërë ekuilibri, i tërë balanci duke e ditur faktin që bima është prodhues njeriu dhe kafsha janë konsumator ndërsa mikro-organimzat janë reducent ose zbërthyes, qoftë masës organike, qoftë të ushqimit që vendoset pas korrjes së hamullorëve. Pra realisht shkaktojnë shumë çrregullime në tokë sepse e prishim bilancin ekologjik, shkatërrojnë mikro-organizmat mund të vendosim ushqim në të njëjtën sipërfaqe por që plehu që hidhet nuk ka kush ta zbërthej sepse pavetëdije i kemi djegur mikro-organizmat. Po ashtu, azoti avullohet dhe kalon në gjendje të gaztë, ndërkaq fosfori dhe kaliumi që ngelen në hi, nuk kanë më vlera ushqyese”, ka treguar tutje Rusinovci.

Gjithashtu, sipas tij, humbja e vlerave ushqyese në masën organike të tokës është një pasojë serioze.

“Në vend se kashtën ta shndërrojmë në pleh dhe në vend që normën e plehërimit për kulturën pasardhëse ta lehtësojmë, ne atë e djegim dhe i humbim të gjitha materiet ushqyese”, është shprehur ai.

Ai ka dhënë këshillën e thjeshtë, por thelbësore për fermerët, që është të ndalojnë menjëherë zjarrvëniet e qëllimshme në tokat bujqësore dhe se shteti duhet të ndërmarrë masa të rrepta kundër atyre që vazhdojnë këtë praktikë të dëmshme për mjedisin dhe shoqërinë.

“Duhet të hiqet njëherë e përgjithmonë  nga praktika ndezja e qëllimshëm e hamullorëve, madje shteti duhet të mendoj seriozisht që të pasoj edhe gjoba për keqbërësit që përdorin një metodologji të tillë”, ka thënë Rusinovci.

Për sa i përket pasojave të mundshme për ekosistemin tokësor, profesori ka shpjeguar se zjarrvënia e qëllimshme shkakton një çrregullim të ekuilibrit ekologjik dhe balancit në tokë.

“Mikro-organizmat dhe substancat ushqyese humbasin vlerën e tyre, ndërsa kimikatet si azoti avullohen në atmosferë dhe ndikojnë në cilësinë e ajrit”, ka treguar ai.

Apel për mosdjegien e arave ka bërë edhe agronomi Imer Nitaj, i cili ka thënë se me djegien e tyre dobësohet flora e fauna.
Sipas tij po ashtu dobësohen shumë edhe mikroorganizmat dhe se mund të shkaktohet edhe rrezik i panevojshëm.

“Kjo është një dukuri shumë negative që po zhvillohet sa i përket aspektit bujqësor ka anët negative se përvec masës barishtore apo drunore apo çka digjet aty ne e dobësojmë florën dhe faunën e cila gjendet në atë fushë.Ana pozitive është shumë më e vogël se ana negative. Apeli im është që të mos digjet, pasi munden me u shkaktu edhe katastrofa të mëdhaja, mund të djeget edhe vendi ku ne nuk dëshirojmë. Përvec asaj do të thotë është se ne e dobësojmë shumë mikroorganizmat të cilat e zbërthejnë atë masë organike e cila mund të shndërrohet në pjesën e masës humësore, e cila do të jetë ushqim për vitin e ardhshëm për ato bimësi që gjenden aty”, ka thënë ai.

Me rritjen e shqetësimeve në lidhje me zjarrvëniet e tokave bujqësore, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po bën thirrje të vazhdueshme për përgjegjësi ndaj mjedisit dhe sigurisë.

Ata inkurajojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të ndihmojnë në parandalimin e zjarreve në mjedisin bujqësor.

Gjithashtu, nëse vërejnë ndonjë shenjë të zjarrit, kërkojnë nga qytetarët të raportojnë menjëherë në numrat emergjentë për të ndihmuar në menaxhimin e situatave të tilla.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika