Sociologu anglez Anthony D. Smith konsiderohet si njëri ndër themeluesit e fushës ndërdisiplinore të studimeve të nacionalizmit. Si kontributet më të njohura të tij në këtë fushë janë dallimi midis llojeve “nacional” dhe “etnik” të kombeve dhe nacionalizmit, si dhe ideja se të gjitha kombet kanë “bërthama etnike” dominuese. Këto dallime Smith i bën në veprën Ethno-symbolism and Nationalism [Etnosimbolizmi dhe Nacionalizmi].
“Qëllimi i këtij libri është të japë një përmbledhje të një qasjeje etnosimbolike për studimin e kombeve dhe nacionalizmit; synon të përcaktojë sfondin teorik të shfaqjes së tij, supozimet dhe temat e tij kryesore dhe analizën e formimit të kombeve, këmbënguljen dhe ndryshimin e tyre dhe rolin e nacionalizmit.”1
Anthony D. Smith konsideron se “etnosimbolizmi” nuk pretendon të jetë një teori shkencore, por përkundrazi, ajo duhet të shihet si një perspektivë e veçantë dhe, në fund të fundit, si një program kërkimor për studimin e kombeve dhe nacionalizmit.2
Premisat themelore të shqetësimeve dhe temave kryesore të një perspektive etnosimbolike, sipas Smith, rrjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kritika e modernizmit. Etnosimbolistët shqetësohen për besimet, aktivitetet dhe qëndrimet e joelitistëve, të cilët shpesh duhet të binden, nëse nuk mobilizohen, nga elitat nacionaliste, ose subelita rivale. Ata po ashtu kanë hedhur poshtë qasjet “lart-poshtë” të shumicës së modernistëve dhe theksin e tyre e vënë shpeshherë në elitat shtetërore.
Etnosimbolistët janë të interesuar të hyjnë në “botën e brendshme” të kuptimit të joelitistëve që përbëjnë pjesën më të madhe të “popullit”, pra me fjalë të tjera ata kërkojnë burimet e apelimeve nacionaliste në elementet simbolike të ndryshme të historisë dhe kulturës së tyre të përbashkët mjedisore, qofshin ato mite e simbole, apo kujtime, tradita dhe vlera.3
Kjo do të thotë se joelitistët nuk mund të ndahen nga mjedisi më i gjerë kulturor, ose nga narrativa e elitave të tyre.
S’ka dyshim se lidhjet etnike luajnë një rol të jashtëzakonshëm në formimin e kombeve dhe se në disa raste, në ato historikisht të rëndësishme, kombet janë formuar mbi bazën e bashkësive etnike. Por sigurisht jo në të gjitha rastet, konsideron Smith.
Etnosimbolizmi kalon në çështjen e përcaktimit të konceptit të kombit dhe delimitimit të fenomeneve kombëtare. Si e tillë, kjo pasqyron lidhjet e ngushta, dhe madje edhe disa shkallë të mbivendosjes, midis fenomeneve etnike dhe kombëtare, si dhe akademike, të cilat janë të dukshme në proceset e etnogjenezës, si, bie fjala, vetëpërkufizimi, kufizimi, kultivimi simbolik dhe të ngjashme, të cilat gjithashtu përfshihen në formimin e kombeve.
Në lveprën Ethno-symbolism and Nationalism, vërehet se Smith pajtohet me autorë të tjerë se nacionalizmi është një fenomen modern, mirëpo ai këmbëngul që kombet kanë origjinë premoderne.
- Smith, D. Anthony, Ethno-symbolism and Nationalism, Routledge, New York, 2009, f.1
- Po aty. fq.1
- Po aty, fq.134