Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një kërcënim serioz të spiunazhit dhe ndikimit të Serbia ndaj Kosova, pas zhvillimeve të fundit
Sipas Fetoshit rasti i spiunes së BIA-s, Jelena Gjukanoviq përfaqëson një dëshmi të re të një rrjeti të strukturuar spiunazhi, që shkon përtej individëve dhe prek dimensione të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Jelena Gjukanoviq është ‘dëshmia më e re’ për aktivitetet kërcënuese të Serbisë kundër Kosovës, që alarmon gjithashtu për ‘ndikimin potencial’ në organizata të rëndësishme ndërkombëtare”, ka theksuar Fetoshi.
Ai paralajmëron se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës në këtë rast nuk ekspozon vetëm një rrjet spiunazhi, por ngre dyshime serioze edhe për integritetin e misioneve ndërkombëtare, veçanërisht të OSBE-së.
“Nëse raportet e kësaj organizate duhet të ‘konfirmohen’ paraprakisht në Beograd, kjo do të thotë se strategjia serbe e ‘viktimizimit’ nuk ka ngelur në suazat e një tendence politike të izoluar”, është shprehur ai.
Fetoshi ka ngritur shqetësim edhe për komunikimet e pretenduara të Gjukanoviqit, të cilat sipas tij sugjerojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në raportimet ndërkombëtare.
“Një ‘dëshirë’, e cila jo vetëm se do ta cenonte kredibilitetin e OSBE-së, por do ta kthente organizatën në platformë ndërkombëtare për narrativat manipuluese serbe”, ka deklaruar ai.
Ai shkon më tej duke e lidhur këtë qasje me modele më të gjera gjeopolitike, duke bërë krahasime me narrativat që Rusia ka përdorur ndaj Ukraina para agresionit.
“Fabrikimet ‘viktimizuese’ të Serbisë… janë përmbajtje të ngjashme narrative me ato që ka përdorur Rusia ndaj Ukrainës para fillimit të agresionit ushtarak”, ka theksuar ai.
Në përfundim, Fetoshi paralajmëron për pasoja të rënda nëse këto zhvillime nuk adresohen në nivel ndërkombëtar.
“Problemi është një strukturë shtetërore… që e ruan trashëgiminë e dhunës si instrument kundër Kosovës dhe shqiptarëve”, thekson ai, duke shtuar se përballja me këto rreziqe kërkon reagim më të gjerë ndërkombëtar, pasi “‘fantazmat e KGB-së’ kërkojnë përgjigje ndërkombëtare”, ka thënë Fetoshi.