“Rrënimi i objekteve ilegale në Ujman është një veprim në kuadër të sundimit të ligjit, me rëndësi strategjike edhe për forcimin e sigurisë”, ka vlerësuar drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Arben Fetoshi, derisa reagimet nga Serbia i quajti të pritshme, për shkak të strategjisë së njohur të “viktimizimit”.
Në një bisedë me analistin Ben Andoni për Euronews Albania, ai shpjegoi se çdo veprim institucional i Kosovës është kornizuar nga Serbia si veprim i drejtuar kundër serbëve, në kuadër të narrativës së “diskriminimit dhe represionit ndaj serbëve”, që synon demonizimin e Kosovën në planin ndërkombëtar.
Prandaj, “reagimet nga e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën ishin të pritshme, mirëpo në anën tjetër, duhet ta kemi të qartë se Ujmani ka rëndësi të posaçme strategjike për Kosovën dhe në këtë kuadër, lirimi i pronave të uzurpuara është veprim edhe për forcimin e sigurisë nacionale”, ka vlerësuar Fetoshi.
Ndërkaq, lidhur me komentin e Andoni për më shumë transparencë nga institucionet e Kosovës në raport me faktorët ndërkombëtarë, edhe pse Serbia nuk duket se do të lëvizë drejt njohjes së Kosovës, Fetoshi tha se pikërisht kjo e ka bërë të domosdoshme ndryshimin e qasjes nga periudha e gjatë e tolerimit të ndërhyrjeve të Serbisë.
“Beogradi zyrtar vazhdon të jetë në “kthetrat” mesjetare të mitit për Kosovën, prandaj Republika e Kosovës si realitet gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor duhet të imponohet në Beograd. Dhe më lejoni ta sqaroj, çështja s’ka të bëjë me njohjen ose jo të Kosovës nga Serbia, por me detyrimin e saj që ta pranojë realitetin e ri me shtetin e Kosovës si fakt të kryer. Mbi këtë bazë duhet të shihen veprimet institucionale dhe mbi këtë bazë duhet të mbahet doemos relacioni me partnerët strategjikë, Shtetet e Bashkuara në veçanti, por edhe me Bashkimin Europian. Nëse po konstatojmë se nuk mund të presim njohjen nga ana e Serbisë, kjo nuk do të thotë se mund t’i dorëzohemi strategjisë hibride të Serbisë për ta minuar rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendi tonë”, tha Fetoshi.
Prandaj, sipas tij, sa më shpejt që qytetarët serbë të Kosovës do ta projektojnë të ardhmen e tyre në Kosovë, me të gjitha të drejtat që ua garanton kushtetuta dhe ligjet, aq më e sigurt dhe aq më e qëndrueshme do të jetë paqja e stabiliteti në Ballkan.