Fillojnë kërkimet për objektin fluturues që hyri në Poloni nga Bjellorusia

Ministria e Mbrojtjes së Polonisë tha më 13 maj se ka detektuar një objekt në hapësirën e saj ajrore, që kishte fluturuar nga drejtimi i Bjellorusisë. Autoritetet polake thanë se me gjasë ky objekt është një balonë vëzhguese

Një avion luftarak MiG-29 i forcave ajrore polake. Foto: Reuters

Ministria e Mbrojtjes së Polonisë tha më 13 maj se ka detektuar një objekt në hapësirën e saj ajrore, që kishte fluturuar nga drejtimi i Bjellorusisë. Autoritetet polake thanë se me gjasë ky objekt është një balonë vëzhguese.

Ministria shkroi në Twitter se radari humbi kontakt me objektin në afërsi të Ripinit, një qytet polak që gjendet 143 kilometra në veriperëndim të Varshavës.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për objektin dhe në këto operacione janë përfshirë një helikopter, dron dhe trupa tokësore të Forcave të Mbrojtjes Territoriale, tha një zyrtar i forcave të armatosura.

Objekti fluturues ishte detektuar të premten në Bialovieza, që gjendet në afërsi të kufirit në mes të Polonisë dhe Bjellorusisë. Më pas është kryer një monitorim me radarë dhe të shtunën, rreth orës 12:30, objekti sërish është parë në hapësirën ajrore polake, thanë autoritetet.

Ky njoftim vjen pas dy inkursioneve të tjera që kanë ndodhur në hapësirën ajrore polake qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, shtet që gjendet në kufi me Poloninë.

Në nëntor të vitit të kaluar, dy banorë të Polonisë u vranë, pasi një raketë ra në lindje të këtij shteti. Zyrtarët perëndimorë thanë se besojnë se një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase doli nga trajektorja, në kohën kur forcat ajrore ukrainase po tentonin që të zmbrapsnin një sulm të madh të kryer nga Rusia.

Zyrtarët politikë dhe ushtarakë të Polonisë, po ashtu, kanë ngritur pikëpyetje lidhur me një tjetër objekt që ra në territorin e këtij shteti dhjetorin e kaluar, por që u zbulua në prill të këtij viti nga një qytetar që po shëtiste në një pyll.

Ndryshe, Rusia përdori territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Bjellorusia, aleate e Rusisë, ka thënë se nuk është pjesë e konfliktit në Ukrainë, pavarësisht se lejon forcat ruse të përdorin territorin e saj. /REL

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika