“Flini për ëndrrën, zgjohuni për qëllimin”

Valëza Kastrati, juristja që pas studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte kthyer të kontribuojë në vendin e saj dhe gjithë kapacitetin profesional t'ia atribuojë Kosovës, por fatkeqësisht, nuk kishte arritur të gjejë një vend pune të përshtatshëm me arsyetimet se nuk i përmbushte kriteret apo ishte e mbikualifikuar

Valëza Kastrati

Mund të ketë shumë arsye pse një vajzë zgjedh të studiojë drejtësinë. Madje ato (arsyet) mund të jenë prej më të ndryshmeve.

Dëshira për të ndihmuar njerëzit dhe mendimi se mund të ndryshojë ndonjë parregullsi të vazhdueshme që e sheh tek institucionet e vendit apo edhe në shoqëri, mund të jenë vetëm disa nga shtysat për dikë që të studiojë drejtësinë.

E lindur dhe e rritur në Pejë, Valëza Kastrati, juristja që pas studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte kthyer të kontribuojë në vendin e saj dhe gjithë kapacitetin profesional t’ia atribuojë Kosovës, por fatkeqësisht, nuk kishte arritur të gjejë një vend pune të përshtatshëm me arsyetimet se nuk i përmbushte kriteret apo ishte e mbikualifikuar.

Dëshira e saj e madhe që t’i shërbejë vendit dhe diturinë ta ndaj me studentët në Kosovë, e ka shtyrë që të mos ndalet asnjëherë, por pavarësisht përpjekjeve, Kastrati aktualisht jeton dhe vepron përtej oqeanit.

Studimet, eksperiencat, sakrificat dhe puna janë vetëm disa nga temat që juristja ka treguar në një intervistë për Portalin Dukagjini.

Profesionin e juristit e sheh më shumë se vetëm avokat e prokuror. E rritur në një familje juristësh, Kastrati ka thënë se të studiosh drejtësinë dhe ta praktikosh si profesion është më shumë se të jesh vetëm një zyrtar shtetëror.

“Unë jam rritur në një familje me traditë në fushën juridike dhe e kam parë ndikimin që ky profesion ka në shumë aspekte. Jam edukuar në një frymë të atillë që t’i shërbej shoqërisë maksimalisht, dhe besoj se profesioni i juristit ta jep këtë mundësi në masë të madhe. Dikush e barazon juristin vetëm me të qenët avokat, gjyqtar apo prokuror, por në të vërtetë është shumë më shumë se aq”.

Valëza Kastrati, juriste

“Ti mund të jesh profesor dhe të ngritësh gjenerata të reja, mund të jesh zyrtar shtetëror dhe të betohesh për mirëqenien e popullit, mund të sjellësh ndryshime pozitive për kauza humanitare përmes OJQ-ve, e madje nuk ka asnjë institucion që mund të themelohet apo funksionojë pa një jurist, duke nisur nga vetë shteti e deri te shkollat parafillore. Njëkohësisht padrejtësitë historike ndaj kombit tim më kanë nxitur që të studioj këtë fushë. Është thjesht fundamental dhe shumëdimensional, andaj kam parë dyer të hapura për ta ndarë dijen dhe punën time me të tjerët”, ka thënë juristja.

Puna dhe suksesi gjithmonë janë të lidhura në mënyrë zinxhirore, të cilat nuk funksionojnë pa njëra-tjetrën. Arritjet asnjëherë nuk janë të bazuara në gjëra të momentit, por në punën sistematike të bërë ndër vite.

Përkushtimi edhe ndaj detajit më të vogël zbukuron gjithmonë çdo sukses, e sipas Kastratit, pikërisht kjo vendosmëri i ka ndihmuar edhe në momentet më të vështira.

“Nuk ka sukses pa sprova e dështime dhe realizimi i ëndrrave nuk është asnjëherë i lehtë. Sfidimi i vetvetes përtej Kosovës ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, sepse fillova gradën Master duke qenë 22-vjeçare, e vetme, dhe jo rrallë duke u përballur me një konkurrencë tejet agresive. Përkundër tendencës për influencë negative në motivimin dhe arritjet e mia akademike, madje edhe nga vetë Kosovarët, unë kam refuzuar të dorëzohem. Ndonjëherë kam pasur edhe ngarkesa shëndetësore, por synimin e kam ëndërrua edhe me sy hapur. Kam pasur krah të palëkundur Zotin, besimin në vetvete, mbështetjen e pakusht të familjes e shumë prej shoqërisë e dashamirëve. Këto më kanë vënë në piedestalin e sukseseve të vazhdueshme, për çka jam shumë mirënjohëse”, ka shtuar ajo.

Jeta larg familjes gjithmonë është konsideruar e vështirë, por kur bëhet fjalë për një largësi ekstreme atëherë vetëm mendimi rreth saj të trishton, por rezistenca dhe dëshira e madhe për arritje e bën gjithçka më të lehtë dhe më lehtë të realizueshme.

Kastrati ka treguar rreth ditëve të saj më të vështira, vetëm e vetëm të arrijë te qëllimi i saj.

Valëza Kastrati, juriste

“Sakrificën time e kuptojnë vetëm ata që e kanë përjetuar nën lëkurën e tyre. Për këtë ëndërr kam lënë gjithë jetën prapa, familjen, shoqërinë, rehatinë e lumturinë e shtëpisë sime. Malli e dhimbja që nuk je pranë familjes, e sidomos prindërve, është zbrazëtirë që rrugët e kurbetit nuk ta mbushin kurrë. Një ndjenjë që të rikthehet sapo shijon ushqimin që ta kujton tokën tënde, apo erën e lehtë që ta kujton pranverën në vendlindje. Me pak fjalë, edhe mbretëria e botës po të jetë, rrezet e këtij dielli nuk ta ngrohin shpirtin. Ne thjesht mbahemi fort për qëllimin për të cilin kemi lënë gjithçka”, ka theksuar më tej.

Prania e librit në jetën e gjithsecilit ka një ndikim jashtëzakonisht të madh, një njërën anë të pasuron intelektualisht dhe në anën tjetër të bën të kuptosh botën dhe njerëzit më mirë.

Por çfarë mendon Kastrati rreth librit, a i është shpërblyer koha të cilën e ka kaluar me libra në dorë dhe në çfarë forme i është shpërblyer?

“Jashtëzakonisht shumë, dhe atë në dy aspekte. I pari është ai personal, ku dituria të ndërton në një personalitet me karakter modest, human, largpamës, durimtar, paqësor, tolerant e jo paragjykues. Këto janë tipare kyçe që të jesh njeri para se të bëhesh profesionist. I dyti është profesional, ku besoj se për moshën time kam arritur dhe tejkaluar pritshmëritë e mia. Kam një bagazh eksperience bukur të madhe si në teori ashtu edhe në praktikë, sepse kam filluar punën qysh në moshën 18-vjeçare në vitin e parë të studimeve. Sot jam Juriste, Ndërmjetësuese, kam punuar me agjensione ndërkombëtare si USAID dhe si Profesoreshë Asistente. Sidoqoftë shpërblimi më i madh pritet në vazhdim. Një libër në dorë padyshim do ta sjellë librin e dytë dhe kështu vazhdon në mënyrë zinxhirore. Dituria është arma më e fuqishme që mund ta posedosh dhe që askush nuk mund ta merr nga ti”, është shprehur juristja.

Sakrifica, largësia, vetmia për disa kohë e kanë shoqëruar çdo vend, por si e përshkruan Kastrati kohën e studimeve?

“Pa asnjë dyshim mbetet periudha më e bukur dhe motivuese e jetës. Kohë gjatë së cilës thuren shpresat, e ardhmja, dhe ti gjen vendin tënd në jetë. Ndjehem e bekuar edhe për profesorët, kolegët dhe të tjerë që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi, nga të cilët kam mësuar shumë. Nga ana tjetër, sa herë që jeta më ka rrëzuar kam gjetur strehim te libri. Nëse diku kam dështuar, e kam ditë se një ditë e suksesshme më pret nesër në bankat e shkollës”, ka potencuar ajo.

Teksa tregonte me aq entuziazëm për rrugëtimin e saj të shkollimit dhe shpërblimet që ka marrë pas përfundimit të siç e quajti ajo periudhës më të bukur dhe motivuese të jetës së saj, është ndarë paska e zhgënjyer sepse ëndrra dhe dëshira për të shërbyer dhe kontribuar në vendin e saj nuk iu ofrua ashtu siç edhe kishte menduar që do të ndodhte.

Kastrati tregon se çfarë kishte ndodhur me kthimin e saj në Kosovë, sa iu desh kohë që të gjejë një vend pune dhe çfarë ndodhi që sot nuk jep në mënyrë të drejtpërdrejt kontribut në vendin e saj të lindjes.

“Kur unë fitova bursën e parë për studimet e nivelit Master në SHBA, jam nisur me qëllimin për t’u kthyer prapë në Kosovë. Bursa ime theksonte qartë kushtin 2-vjeçar të kthimit dhe ky ishte synimi im. Studiova Qeverisje Demokratike dhe Sundim të së Drejtës, e madje u certifikova edhe për Pedagogji Juridike. U ktheva në Kosovë si studentja më e mirë ndër kosovarët, e diplomuar me nderime dhe kërkova punë për 3 vite radhazi”.

“U refuzova në mënyrë aspak dinjitoze, e barazuan përgatitjen time akademike e profesionale me shumë të tjerë të pakualifikuar, m’i refuzuan aplikimet me arsyetimet se nuk i përmbushja kushtet, e disa theksonin se isha e përtejkualifikuar. Edhe punën si asistente e angazhuar e fitova pas 4 muajsh procedurash ankimore sepse më refuzonin pa arsyetime se cilat kritere nuk i përmbushja. Një student i ri i cili ka shkrirë veten për shkollim nuk e ka të lehtë përbuzjen e arritjeve e aq më pak kur gjithçka e kam fituar me nder e djersë. Pas dy vitesh punë si asistente nuk m’u vazhdua kontrata ani pse shpresoja të angazhohem si e rregullt. Ka pasur disa profesorë që brohoritën për vlerat e mia, por fatkeqësisht binin në vesh të shurdhër. Fitova bursën e dytë për Master dhe me shumë dhimbje vendosa përfundimisht të vazhdoja jetën në SHBA, por nuk do ta braktis kurrë kontributin ndaj Kosovës qoftë edhe nga larg sepse shoqëria jonë meriton shumë”, ka shtuar juristja.

Valëza Kastrati, juriste

Arsyeja pse u largua tashmë vetëm u kuptua, por çfarë po i shtynë të rinjtë e Kosovës, sipas saj, të largohen dhe të marrin një rrugë aspak të lehtë, duke lënë pas vetës gjithçka të cilën e kanë ndërtuar ndër vite në atdheun e tyre.

“Jam e bindur se asnjëri prej nesh nuk largohet me dëshirë. Ne ose shtyhemi nga mungesa e perspektivës ose kushtet financiare. Asnjë vend në botë nuk ka nevojë më shumë për ne sesa vetë Kosova. Ne flasim atë gjuhë, e kemi përjetuar luftën, vuajtjen, sakrificën e çdokujt që sot të njihemi si shtet. Askush si ne nuk ndjehet më i motivuar për të pretenduar me këmbëngulje në avancimin e atdheut tonë. Ajo çka na karakterizon neve nga të huajt është dashuria për vendin. Ka edhe shumë Valëza që sot korrin suksese anembanë, e do të ishte nder e krenari me i pa duke kontribuuar në një prej shteteve më të reja të botës. Unë kam asistuar profesorë amerikanë në punën me studentë, por kur kam hyrë për herë të parë në Universitetin Publik në Kosovë për të ligjëruar, e kam ndjerë vërtetë se ky profesion po shërben për diçka. Studentët tonë janë ata që kanë nevojë për kushte, staf akademik e burime studimore. Ky është veç një shembull prej shumë shembujve tjerë që vë në pah domosdoshmërinë për kuadro të kualifikuar, dhe këtë duhet shteti jonë ta mendojë dhe ta vlerësojë”, ishin fjalët e Kastratit.

Një nga shembujt e rezistencës dhe sakrificës, një vajzë plotë motiv dhe dëshirë për arritje, një përshkrim i bukur edhe i eksperiencave jo të mira që ka përjetuar në Kosovë, dëshmia më e madhe që Kastrati vazhdon ende të shpresojë që një ditë do të mund të kthehet dhe të japë kontributin e saj në vendlindje.

Por, ajo ka edhe një mesazh për të rinjtë dhe një thirrje drejtuar Qeverisë së Kosovës.

“Nga dita në ditë më shtohet keqardhja për gjendjen e rinisë Kosovare. Kemi një rini aq të shëndoshë, por ku është lënë pas dore edukimi, respekti dhe përkushtimi, e kjo po e vret popullin tonë dalëngadalë. U bëj thirrje të rinjve t’i përkushtohen diturisë e punës edhe kur nuk ndjehen të vlerësuar, dhe të gjejnë mënyra për t’i kontribuuar Kosovës qoftë edhe me një dorë të shtrirë në ndihmë. Jemi gjeneratë tejet e zgjuar që do të bartim mbi supe pasoja të mëdha si shoqëri e pasluftës, andaj sa më herët ta kuptojmë këtë përgjegjësi aq më shpresëdhënëse do të jetë e ardhmja në Kosovë. Mirëpo, dyfish dua t’i bëj thirrje Qeverisë, të kapin dorën e secilit prej nesh sepse ka talente pafund që do kishin promovuar emrin e Kosovës edhe më gjerë. Këtë veçse e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë shumë të rinj kampionë e artistë, andaj potenciali është i dukshëm dhe i fuqishëm. Ta shtresëzojmë pozitivisht”, ka përfunduar ajo.

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” shpërndan çmime për fëmijë në Panairin e...

Për katër ditë me radhë një pjesë e shesheve të Prishtinës u është dedikuar fëmijëve. Aty është organizuar Panairi i Librave për Fëmijë. Pjesë e këtij...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka shpërndarë çmime për fëmijë në Panairin...

Sot është dita e katërt e panairit të Librit për Fëmijë që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Shtëpia Botuese “<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdukagjinipublishing%2Fposts%2Fpfbid02YAeQHpvFm2GWcbnSERzYo68YXk5UGMDCBxQE9F8K3qgYvcNjMhYvGvXUUy73mL3Xl&show_text=true&width=500"...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Të fundit nga rubrika