Ajo që ndodhi në Stamboll në tetor të vitit 1981 nuk mund të kuptohet vetëm përmes rrëfimeve të atyre që ishin ulur në tavolinën e negociatave. Për të rindërtuar atë që ndodhi pas takimit, “Dosjet” sjellin edhe dëshminë e një personi që OMLK-ja e kishte ngarkuar të merrte shpjegime nga Kadri Zeka, menjëherë pas kthimit të tij nga Stambolli.
Berat Luzha, bashkëpunëtor i Kadri Zekës, tregon se negociatat ishin të gjata dhe se në to ishin diskutuar disa çështje. Por, sipas tij, një prej mospajtimeve kryesore lidhej me mënyrën se si do të realizohej bashkimi: nëse organizatat do të shkriheshin plotësisht në Frontin Popullor, apo nëse OMLK-ja do të vazhdonte të ekzistonte si strukturë e veçantë.
“Ka pasë diskutime të shumta, por problemi kryesor ka qenë që në tezat që ka pasë grupi ynë është parapa që të mbetet, të bashkohen grupet në Frontin Popullor, por që të mbetet edhe OMLK-ja si organizatë, si parti në fakt. Dhe me këtë nuk jam pajtuar sigurisht, ose ka pasë edhe probleme tjera, secili kush po bën më shumë”, u shpreh Berat Luzha.
Por, ndërsa në Stamboll po negociohej për bashkimin e organizatave rreth tezave të Frontit Popullor, një proces i rëndësishëm kishte nisur disa muaj më herët në Kosovë.
Një proces që, sipas dëshmive të sjella ekskluzivisht në ciklin “Dosjet” në “Debat Plus”, krijonte përshtypjen se bashkimi i organizatave ilegale shqiptare ishte tashmë në rrugë të mbarë.
Bajrush Xhemajli, ish-i burgosur politik, rrëfen se në Kosovë ishin marrë për shqyrtim tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, me synimin që disa prej organizatave ilegale të dakordoheshin për një platformë të përbashkët.
Sipas Xhemajlit, bëhej fjalë për katër organizata: LNÇKVSHJ, PKMLSHJ, OMLK dhe LÇKK. Pas analizimit të dokumentit, grupi i tij e kishte pranuar atë si bazë për bashkëpunim.
“Në Front Popullor për Republikë të Kosovës që duhet me u taku këto organizata që i përmende. Këto katër: LNÇKVSHJ, PKMLSHJ-a, OMLK dhe ne, LÇKK-ja. I morëm i analizuam tezat e Frontit Popullor për Republikë të Kosovës. Vërtetë kanë qenë, unë mendoj, një material programatik prej më të mirëve që ka pasë në ilegale deri atëherë, por ndoshta dhe deri më tani, që pastaj ka qenë Lëvizja Popullore e Kosovës duke u shërbyer atij materiali dhe ashtu ka vazhdu me shku më tutje. U pajtuam me atë”, thotë Xhemajli.
Sipas tij, në atë periudhë OMLK-ja kishte bërë të ditur se po zhvillonte kontakte edhe me organizata të tjera dhe se synimi ishte që këto bisedime të çonin drejt një dakordimi më të gjerë.
Pra, në shtatorin e vitit 1981, sipas kësaj dëshmie, ekzistonte një pritje se organizatat ilegale shqiptare mund të arrinin një marrëveshje për bashkim.
Por përfundimi i këtij procesi do të varej nga negociatat në Stamboll.
Dhe këtu shfaqet një tjetër dilemë: a ishte takimi i Stambollit një përballje vetëm mes dy organizatave, apo në të ishin përfshirë edhe përfaqësues të një organizate të tretë?
Berat Luzha thotë se diskutimet nuk ishin të kufizuara vetëm në dy grupe.
“Aty është zhvilluar biseda mes tri grupeve”, thotë Luzha.
Për të kuptuar se për çfarë u negociuan e su pajtuan palët në ato tri ditë, ekziston dokumenti që ishte mbi tavolinë në Stamboll.

Dokumenti nuk përcaktonte vetëm idenë e bashkimit. Ai paraqiste edhe një platformë konkrete për Frontin Popullor, objektivat e tij politike dhe mënyrën se si do të organizohej e udhëhiqej ky front.
Në thelb, dokumenti parashihte çlirimin e Kosovës nga sundimi i Serbisë dhe fitimin e statusit të Republikës së Kosovës brenda Federatës Jugosllave.
Por përtej objektivit politik, dokumenti ngrinte edhe një çështje shumë më të ndjeshme: kush do ta udhëhiqte Frontin dhe mbi çfarë parimesh ideologjike do të funksiononte ai?
“Fronti duhet të jetë aleanca e klasës punëtore dhe fshatarësisë, nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe partisë marksiste-leniniste të vërtetë…”, thuhet në dokument.

Pra, Fronti Popullor parashihej si një strukturë e gjerë, ku mund të përfshiheshin organizata ilegale, komunistë, patriotë dhe revolucionarë, edhe nëse nuk e kishin socializmin si synim përfundimtar.
Por udhëheqja e Frontit nuk lihej pa një orientim të përcaktuar politik.
Dokumenti fliste qartë për rolin e një “partie marksiste-leniniste të vërtetë”.
Dhe pikërisht këtu duket se qëndronte një prej mospajtimeve më të rëndësishme.
Në njërën anë ishte ideja që organizatat të bashkoheshin në një Front të përbashkët, ndërsa OMLK-ja të ruante strukturën dhe identitetin e saj organizativ.
Në anën tjetër, Sabri Novosella e përshkruan qëndrimin e grupit të tij ndryshe, duke thënë se bashkimi duhej të ishte i plotë dhe se emri i ri mund të ishte i përbashkët, por pa një përcaktim marksist-leninist të Frontit.
“Ne jemi për bashkimin e organizatave, mundet me një emër të ri, marksizëm-leninizëm aty nuk ka…”, thotë Sabri Novosella.
Por dokumenti shkonte edhe më tej.
Ai përcaktonte një qëndrim të qartë ndaj Shqipërisë socialiste dhe udhëheqjes së saj. Në të thuhej se:
“Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për armiqësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë Socialiste. Ai do t’i popullarizojë sukseset madhështore që po arrin në të gjitha fushat Shqipëria socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës dhe shokut Enver Hoxha”, thuhej në dokument.
Kështu, dokumenti që Kadri Zeka kishte marrë me vete në Stamboll nuk ishte vetëm një plan për bashkimin e organizatave ilegale.
Ai përmbante një platformë politike dhe ideologjike të qartë: Republika e Kosovës, Fronti Popullor, marksizëm-leninizmi, Shqipëria socialiste, Partia e Punës dhe Enver Hoxha.
Dhe pikërisht përplasja rreth mënyrës së bashkimit, ruajtjes apo shkrirjes së organizatave dhe orientimit ideologjik të Frontit mund të jetë një prej çelësave për të kuptuar pse negociatat e Stambollit nuk përfunduan me bashkimin që ishte pritur në muajt paraprakë.
Dokumenti ishte mbi tavolinë. Tezat ishin të shkruara. Por marrëveshja përfundimtare nuk u arrit.
