Greqia nuk ndryshon qëndrim karshi Kosovës

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou

“Qëndrimi i Greqisë lidhur me shtetësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar”.

Kështu ka deklaruar presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, gjatë vizitës në Beograd më 28 mars.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”, ka thënë Sakellaropoulou pas takimit të saj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan REL.

Ajo gjithashtu ka theksuar se Greqia e mirëpret Aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar ajo.

Kosova dhe Serbia para takimit të Ohrit, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian për normalizim.

Sakellaropoulou ka shtuar se Greqia mbështet dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një prioritet strategjik i Greqisë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ofrojë paqe dhe siguri dhe do të parandalojë ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq, Vuçiq ka deklaruar se me homologen greke bisedoi për marrëveshjen e arritur në Ohër, si dhe për lidhjen e infrastrukturës dhe stabilitetin energjetik.

Vuçiq ka thënë se është rënë dakord për “blerjen e sasive të caktuara të gazit të lëngshëm” nga Greqia.

“Tema e takimit ishte ndërlidhja e mëtejshme energjetike, ku Serbia shprehu interesin për blerjen e gazit të lëngshëm nga [porti grek] Aleksandropolis”, ka thënë Vuçiq, teksa ka shtuar se tubacioni i gazit me Bullgarinë duhet të përfundojë në tetor, i cili do të lehtësojë dërgimin e gazit.

Vuçiq ka falënderuar presidenten greke për mbështetjen e Serbisë në rrugën e saj evropiane, duke shtuar se është me interes jetik që Serbia të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje kompromisi në bisedimet me Kosovën dhe të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ai ka shtuar se shteti do të vazhdojë reformat dhe do të punojë për përmirësimin e të drejtave të njeriut, si dhe “do të zbatojë gjithçka që është rënë dakord”.

“Serbia është në rrugën evropiane dhe dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, por kjo nuk varet vetëm nga ne. Pjesa më e madhe e asaj që pritet nga Serbia ka të bëjë me dialogun me Prishtinën”, ka thënë Vuçiq.

Marrëveshja e Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është lidhur me përparimin e të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane.

Ndryshe, përveç Greqisë, edhe Sllovakia, Qiproja, Spanja dhe Rumania janë pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Athina, megjithatë, ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika