Hamza: Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend, duke thënë se nata e kaluar ishte e gjatë për Republikën e Kosovës, por duke shpresuar se ajo do të shënojë një kthesë drejt një rruge më të mirë për shtetin.

Hamza ka lidhur zhvillimet institucionale edhe me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se beteja për drejtësi nuk mund të mbetet vetëm mbi individët, familjet dhe mbrojtësit e tyre.

Sipas tij, tash është koha që shteti i Kosovës të jetë pranë tyre me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë.

“Nata e mbrëmshme ishte një natë e gjatë për Republikën e Kosovës. Por dua të besoj se do të jetë edhe një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin tonë dhe, bashkë me shtetin e me Presidenten e re, edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së, në betejën tonë të përbashkët për drejtësinë, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.

Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë.

Në emër të PDK-së, i falënderoj të gjithë qytetarët që protestuan pa u ndalur në kryeqytet, në shumicën e qyteteve të Kosovës dhe në diasporë, duke u bërë zëri i tyre dhe pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi.

Qytetarëve tanë dhe brezave që vijnë u duhet një Kosovë që nuk harron, një shtet që nuk dorëzohet dhe një shoqëri që e mbron të vërtetën e saj. Atyre u duhet një Kosovë që nuk lejon që sakrifica dhe lufta për liri të zbehen nga harresa apo të shtrembërohen nga paragjykimet.

Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare.
UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete.

Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm.

Duhet të jemi të gjithë bashkë!”, ka shkruar Hamza.

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika