Intensifikohen sulmet në Gazë, presidenti Biden bisedon me kryeministrin Netanyahu

Forcat izraelite vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit të shtunën në pjesën veriore të Gazës, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të premten. Kjo rezolutë bën thirrje për dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës, por nuk përfshin një kërkesë për armëpushim për shkak të kundërshtimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara

Ushtria izraelite publikoi një video ku ushtarët izraelitë shihen duke luftuar rrugëe të Jabalias në Gazë.

Forcat izraelite vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit të shtunën në pjesën veriore të Gazës pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të premten një rezolutë që bën thirrje për dërgimin e më shumë ndihmave në Rripin e Gazës, por pas kundërshtimeve amerikane nuk e përfshiu pjesën që bënte thirrje për armëpushim.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden bisedoi të shtunën mbi situatën me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu.

Aleati kryesor i Izraelit ka vijuar mbështetjen ndaj tij, por ka shprehur shqetësim mbi rritjen e numrit të viktimave civile dhe krizën humanitare në Gazë.

Votimi në Këshillin e Sigurimit u mbajt pasi Shtetet e Bashkuara i vunë veton një amendamenti rus që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Dhjetë vende u shprehën pro, katër abstenuan ndërsa Shtetet e Bashkuara u shprehën kundër.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u shpreh e lehtësuar pas miratimit të rezolutës.

“E pranoj që rezoluta nuk është perfekte. Është shokuese që disa anëtarë të këshillit ende refuzojnë ta dënojnë sulmin e tmerrshëm terrorist të Hamasit më 7 tetor, i cili shkaktoi shumë dhimbje dhe vuajtje. Ne do të vazhdojmë ta nxisim këshillin për ta korrigjuar këtë gabim”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Thomas – Greenfield.

Kamionët që transportonin ndihma humanitare për në Rripin e Gazës, u inspektuan në vendkalimin Kerem Shalom të premten pasi mbërritën nga Egjipti.

Në fillim të luftës, Izraeli i ndaloi të gjitha dërgesat e ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburantit në Gazë. Pas trysnisë amerikane, Izraeli lejoi kalimin e ndihmave përmes Egjiptit.

Zyrtarë izraelitë u shprehën të kënaqur me pikën e rezolutës së Këshillit të Sigurimit që bën thirrje për lirimin e pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor nga militantët e Hamasit në pjesën jugore të Izraelit dhe u dërguan në Gazë.

“Është e rëndësishme të thuhet se në vendimin e OKB-së u miratua kërkesa për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të pengjeve dhe kërkon trajtimin mjekësor pa pengesa për pengjet e mbajtura nga Hamasi . Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave ndërkombëtare që ta zbatojnë vendimin”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Qielli mbi qytetin Jabalia në pjesën veriore të Gazës ishte i mbushur me tym nga bombardimet izraelite që po vazhdojnë, ndërsa banorët e qytetit raportojnë se tanket izraelite kanë depërtuar në brendësi të qytetit.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigada Al Qassam, tha se janë përfshirë në luftime të shtunën, duke shkatërruar pesë tanke izraelite dhe vrarë e plagosur ekuipazhet e tyre.

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se nuk ka arritur që t’i konfirmojë këto të dhëna.

Ushtria izraelite publikoi të premten një video për të cilën thotë se tregon tunele nëntokësore të Hamasit në zonën Issa në pjesën jugore të qytetit të Gazës.

Një pjesë e pamjeve u regjistrua nga një kamera e montuar në një qen të ushtrisë i cili kalon nëpër një tunel dhe futet nëpër strukturat nëntokësore, ato që Izraeli i quan qendrat e komandës dhe kontrollit.

Sipas të dhënave të Hamasit, që nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura, gati 20,000 banorë të Gazës janë vrarë gjatë konfliktit 11-javor, shkruan VOA.

Mijëra trupa të tjera njoftohet se kanë ngelur nën rrënoja. Pothuajse të gjithë banorët e Gazës, afro 2.3 milionë, janë zhvendosur.

Izraeli thotë se ka humbur në luftime 140 ushtarë që kur nisi operacionin e tij tokësor më 20 tetor, në përgjigje të sulmit terrorist të 7 tetorit në Izrael nga militantët e Hamasit, të cilët vranë 1200 njerëz dhe morën 240 pengje.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika