Ish-ministri Mustafaj: Qeveria Kurti ka qasjen e duhur në dialog me Serbinë

Mustafaj ka folur mbi veprimet e Kosovës në kuadër të mardhënieve të saj me shtetet fqinje. Njëherësh, ai e ka cilësuar çështjen e "Ballkanit të Hapur" si një "teatër pa asnjë substancë"

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Besnik Mustafaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka cilësuar qasjen e Kosovës ndaj Serbisë si të duhur.

Në një intervistë për KosovaPress, Besnik Mustafaj, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ka kërkuar nga autoritetet kosovare fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar.

“Ka qenë një nevojë e ndjeshme për Kosovën që të forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, sidomos përballë Serbisë në negociatat të pafundme që janë bërë tashmë. Por që duhet të ishte si e barabartë. Besoj se Qeveria Kurti ka gjetur qasjen e duhur për t’i dhënë Kosovës rëndësinë që ka në dialog. Kjo reflektohet edhe të tjerat, pasi nga ana formale, përveç Serbisë askush nuk është munduar që ta vërë në pozicion inferioriteti, po flas për vende që e kanë njohur, jo Rusinë…Tash ky ridimensionim i Kosovës si subjektivitet ndërkombëtar i bënë mirë prestigjit të Kosovës dhe autoritetit të saj”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se fokusimi duhet të jetë zgjidhja e problemeve me Serbinë, e cila njëherësh, ka qenë pengesë për Kosovën për të ndërtuar marrëdhënie serioze, me programe të mëdha bilaterale me aleatët ndërkombëtar.

“Qasja opsesionale për të zgjidhur problemet me Serbinë ka qenë pengesë për të ndërtuar marrëdhënie serioze, me programe të mëdha bilaterale me vendet që e njohin qysh 2-3 ditët e para. Këto nuk ishin vende dosido, vende anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe tri më të rëndësishmet: ShBA, Franca dhe Britania e Madhe. Po ashtu, ishin shumica e vendeve të BE-së, Japonia dhe kështu me radhë. Ka pasur një mbivlerësim që është bërë pengesë psikologjike të rëndësisë për përmbylljen e negociatave me Serbinë. Këtë e ka kuptuar shumë mirë Serbia dhe ka zvarritur dialogun, duke mbajtur Kosovën në një gjendje të pakëndshme… Për sa kohë Serbia nuk është e gatshme për njohjen reciproke, unë nuk besoj se zgjidhja e këtyre problemeve është prioritet”, ka deklaruar Mustafaj.

Ndërkohë, Mustafaj është treguar mjaft kritikues për “Ballkanin e Hapur”, për të cilin thotë se është një teatër pa asnjë substancë.

“Ai është në këtë lojën e Ballkanit të Hapur, i cili është një teatër pa asnjë rezultat konkret. U bënë kaq vjet dhe s’ka asnjë rezultat konkret, ‘Ballkani i Hapur’. Pse ? Sepse nuk është një projekt me substancë. Dobishmëria e Ramës në ‘Ballkan të Hapur’ do të ishte po t’ia sillte Kosovën në tryezë Vuçiqit. Meqenëse, Qeveria, Parlamenti dhe Presidenca nuk po e ndjekin Ramën, atëherë kjo e nervozon”, ka pohuar ai.

Përsa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, Mustafaj ka thënë se Rama po bënë shumë gafa kur flet për Kosovën.

“Rama nuk kupton nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe këtë e them si një njeri që ka kaluar 20 vjet në marrëdhënie ndërkombëtare. Rama, si njeri i paditur bën protagonistin dhe bën shumë gafa, jo vetëm kur flet për Kosovën, por edhe për rolin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rama ka një qasje të gabuar, lidhur me rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës për zgjidhjen e problemeve të saj ndërkombëtare”, ka përfunduar ai.

Mustafaj ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në vitet 2005-2007.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika