Një shtetas 49-vjeçar i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovići, në Kroaci, pasi gjatë kontrollit kufitar është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga INTERPOL-i në Beograd.
Sipas autoriteteve kroate, urdhërarresti ndaj shtetasit me inicialet B.B., nga fshati Nerodime e Poshtme, ishte lëshuar më 29 prill 2024, mbi bazën e një aktakuze nga Serbia, e cila e akuzon atë për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
B.B. ishte paraqitur në pikën kufitare si shofer i një automjeti Audi A6 me targa gjermane. Gjatë kontrollit të dokumenteve, policia kroate konstatoi se të dhënat e tij figuronin në bazën e të dhënave të INTERPOL-it për arrestim dhe ekstradim.
Pas arrestimit, ai u informua për të drejtat e tij ligjore dhe u dërgua para gjyqtarit hetues në Gjykatën e Qarkut në Dubrovnik. Gjykata urdhëroi që ai të qëndrojë në paraburgim deri në përfundimin e procedurës së dorëzimit.
Për të vijuar procedura e ekstradimit, Serbia duhet që brenda afatit ligjor prej 40 ditësh t’i dorëzojë Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik dokumentacionin përkatës që mbështet urdhërarrestin.
Sipas burimeve të cituara nga mediat kroate, shtetasi i arrestuar ka mohuar akuzat për krime lufte dhe ka paraqitur pretendime në mbrojtje të tij. Vendimi përfundimtar lidhur me ekstradimin pritet të merret pasi gjykata të shqyrtojë dokumentacionin që do të paraqitet nga autoritetet serbe.
Rasti lidhet me hetimet dhe procedurat për krime të kryera gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.