Konjufca kujton dëshmorët e betejës së Likoshanit dhe Qirezit: Kjo masakër brutale shënon gjenocidin e shtetit të Serbisë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sakrifica sublime e të rënëve në themelet e Republikës mbetet frymëzim i përhershëm për brezat dhe vlerë kombëtare e përgjithmonshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka përkujtuar viktimat në 25-vjetorin e betejës së Likoshanit dhe asaj të Qirezit, ku u masakruan 24 shqiptarë.

Me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se sakrifica sublime e të rënëve në themelet e Republikës mbetet frymëzim i përhershëm për brezat dhe vlerë kombëtare e përgjithmonshme.

“Kjo masakër brutale shënon njëkohësisht edhe fillimin e vrasjes masive të shqiptarëve, spastrimin etnik dhe gjenocidin e shtetit të Serbisë në Kosovë”,  shkroi ai.

Ditën e 28 shkurtit 1998, pas disfatës që kishin pësuar në përballje me luftëtarët e UÇK-së, policia dhe ushtria e Serbisë rrethoi fshatrat Likoshan e Qirez dhe në shenjë hakmarrjeje vrau e masakroi mizorisht 24 shqiptarë të pafajshëm – burra, gra shtatzëna, pleq dhe fëmijë, në mesin e tyre dhjetë anëtarë të familjes Ahmeti.

“Në 25-vjetorin e rënies, nderuam kujtimin e martirëve: Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli, Naser Gjeli, Beqir Sejdiu, Nazmi Sejdiu, Bedri Sejdiu, Bekim Sejdiu, Ilir Nebihu, Rukie Nebihu, Xhemshir Nebihu, Ibish Rama, Ismail Behrami, Behram Fazliu, Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti”, shtoi ai.

Më 28 shkurt 1998, policia serbe vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, prej të cilëve 20 ishin civilë. Dy javë para kësaj masakre, më 14 shkurt 1998, policët serbë e vranë në vendin e tij të punës në një trafostacion elektrik, 45-vjeçarin Avdullah Nika nga fshati Gllanasellë, për shkak të lidhjeve të tij me UÇK-në.

Rreth 12 mijë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, më 17 shkurt 1998, ashtu siç mijëra njerëz shkuan për ngushëllime në Gllanasellë gjatë dy javëve të ardhshme.

Ditën e 27 shkurtit, komandanti Adem Jashari i ngarkoi me detyrën që të patrollonin në Likoshan, Qirez dhe Gllanasellë, tre shokë të tij, ushtarë të UÇK-së: Sahit Jasharin, Sabit Lladrovcin dhe Rasim Kiqinën.

Pasi e kaluan natën në shtëpinë e Jahir Hajdarit në Dobroshec, të nesërmen, ata të tre u nisën me makinë drejt Prekazit për t’i raportuar Adem Jasharit. Rrugës, ata hasën në një patrullë të policisë serbe të fshehur pranë një shitoreje në Likoshan.

Në këtë pikë, megjithëse ata u tërhoqën deri në lagjen Hasani të Likoshanit, ndeshja ishte e pashmangshme. Luftimet filluan te mikrotoponimi “Gjashtë lisat”, ku nga katër policë serbë u vranë tre dhe një u plagos, kurse nga ushtarët e UÇK-së, u plagos Sabit Lladrovci, i cili u tërhoq në krah nga Rasim Kiqina.

Ndërkohë që e kishin lajmëruar Adem Jasharin, i plagosuri Sabit Lladrovci u mor në makinë nga Sabit Geci dhe Sahit Jashari dhe u nisën drejt Prekazit.

Por rrugës, në fshatin Baks, ata u pikasën nga një helikopter i policisë serbe, që shtiu një predhë dhe plot 111 plumba mitralozi mbi veturën e tyre, duke e plagosur sërish Sabit Lladrovcin dhe duke i plagosur rëndë Sabit Gecin dhe Sahit Jasharin.

Ishte ardhja e Adem Jasharit dhe të shtënat e tij në drejtim të helikopterit, që u shpëtoi jetën këtyre të tre luftëtarëve të plagosur.

Të përforcuar me trupa shtesë, policët serbë i vazhduan luftimet gjatë gjithë ditës së 28 shkurtit deri në mbrëmje, me një bilanc prej 18 policësh të vrarë dhe mbi 20 të plagosur.

Në ato luftime ranë katër dëshmorë: Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli.

Si hakmarrje për policët e vrarë, policia serbe vrau dhe masakroi 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: Beqir Sejdiu, Nazmi Sejdiu, Bedri Sejdiu, Bekim Sejdiu, Ilir Nebihu, Rukie Nebihu, Xhemshir Nebihu, Ibish Rama, Behram Fazliu, Ismail Behrami, Gani Ahmeti, Ahmet Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika