“Kuvendi i Kosovës, ndër më transparentët në rajon”

Ambasadorja Nancy E. Soderberg ka thënë se parlamenti i Kosovës është një nga parlamentet më transparente në rajon

Ambasadorja Nancy E. Soderberg, njëherësh drejtoreshë e NDI-së në Kosovë, ka thënë se parlamenti i Kosovës është një nga parlamentet më transparente në rajon.

Ajo në një intervistë për emisionin KallxoPërnime, ka shtuar se parlamenti shihet si një nga fushat më efektive dhe më të përgjegjshme.

“Ne kemi punuar që të kemi një forum për transparencë ku përpiqemi t’i hapim buxhetet. Ne kemi punuar 10 vjet veçanërisht për të përditësuar rregullat e procedurës që ndodhën verën e kaluar. Kjo e bën parlamentin më të hapur dhe më transparent. Tani po punojmë për të zhvilluar një kod etik, gjë që mendoj se do të ndodhë. Ne jemi duke punuar tani rreth mbikëqyrjes së ligjeve pas miratimit të tyre, pra mbikëqyrjen postlegjislative që shikon atë që ndodhi dhe e bën atë publike”, ka thënë Soderberg.

Ajo e ka mbështetur edhe iniciativën që ka ndërmarrë Kuvendi kohëve të fundit që deputetët të kenë asistencë.

“Deputetët duhet të kenë zyra. Unë kam punuar në Kongres dhe në Senatin Amerikan për gjashtë vjet dhe e di që nuk punohet nëse nuk ka resurse për të punuar. Kështu që unë mendoj se krijimi i Institutit Parlamentar do të jetë i dobishëm. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kalojnë nëpër trajnime kur të hyjnë në Parlament, ata duhet të kenë burime, ata duhet të kenë njerëz të cilët mund t’i pyesin (për të dhëna) që mund të bëjnë një pyetje”, tha tutje ajo.

Ndryshe, më 5 maj të këtij viti, Kuvendi ka miratuar rregulloren për shtesa mbi pagën bazë për deputetë dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me propozimet e paraqitura në mbledhjet e kryesisë se Kuvendit.

Soderberg ka shtuar se ndër sfidat kryesore në Kosovë janë mungesa e vendeve të punës.

“Shkalla e papunësisë është e vështirë. Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve e ka bërë të vështirë për të gjithë. Gjysma e të rinjve duan të largohen nga Kosova dhe nëse do të mundeshin do ta bënin këtë. Pra, përballesh me një përpjekje ku duan të largohen më të mirët dhe më të zgjuarit e brezit të ardhshëm. Kjo është edhe më shumë arsyeja për t’i futur ata në politikë, për ta ndryshuar këtë vend. Ju keni shumë sfida të mëdha me mjedisin, qentë e egër, infrastrukturën, të gjitha këto janë probleme të mëdha”, tha ajo

Ambasadorja Soderberg ka folur edhe për fillimet e karrierës së saj.

“Unë e fillova karrierën time me Senatorin Ted Kennedy në Senat dhe u largova për t’iu bashkëngjitur fushatave presidenciale që rezultuan në humbje. Dhe më pas në ’92, po ata 200 persona që punojnë në këto fushata kombëtare. Njëri prej tyre më telefonoi dhe më tha, a do të vish të punosh për Bill Kllinton? Ai kishte vetëm 10% të votave nëpër sondazhe në atë kohë. Dhe nuk do ta harroj kurrë”, kujton ajo.

Ambasadorja Soderberg: Klinton e ka parë Kosovën si çështje të interesit kombëtar

Ambasadorja Nancy E. Soderberg në emisionin KallxoPërnime ka folur për ndërhyrjen e SHBA-së në luftën e fundit në Kosovë.

Ajo tha se Kosova është konsideruar nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Klinton, si çështje e interesit kombëtar.

“Gjithmonë varet nga interesi kombëtar. Ju nuk mund të shikoni nënën dhe babanë e një ushtari që po dërgoni në betejë për të rrezikuar jetën e tyre dhe të mos e keni të ankoruar atë veprim në interesin kombëtar. Stabiliteti i Evropës është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Ne përballemi me forca izoluese në vendin tonë dhe na u desh shumë kohë për të hyrë në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore…” – tha Soderberg.

Ajo ka shtuar se një nga keqardhjet e saj gjatë kohës kur ka shërbyer në Administratë është se nuk mund të vepronin më shpejt, në Srebrenicë, dhe pikërisht kjo i ka bërë që të ndërhyjnë në Kosovë.

“Më shumë njerëz vdiqën para se të vepronim si këtu në Kosovë, gjithashtu në Bosnje, Masakrën e Reçakut, Srebrenicën, ne duhej ta kishim parashikuar se do të ndodhte. Ishte një nga periudhat më të dhimbshme të moslëvizjes. Por, presidenti Klinton, shumë përpara se të ishte në Shtëpinë e Bardhë, e dinte se ne duhet të bënim më shumë” – shtoi ajo.

Ambasadorja Soderberg, njëherësh drejtoreshë e NDI-së në Kosovë, në librin e saj kishte shkruar rreth masakrës së Srebrenicës.

“Serbët i ndanë burrat myslimanë, i morën në pyetje dhe i detyruan të hapnin gropa. Gjatë ditës sonë të parë, serbët çetnikë vranë rreth 500 njerëz. Ata thjesht i rreshtonin dhe i gjuanin me armë që ata të binin drejt e në gropa. Afërsisht 100 djem që i morën në pyetje kishin hapur varret masive, më pas u desh t’i mbushnin. Në fund të ditës, ata u urdhëruan të hapnin një gropë për vete dhe të rreshtoheshin para saj. Ata u vranë drejt e në varr masiv. Në agim, mbërriti një buldozer dhe hapi një gropë dhe varrosi të gjallë rreth 400 burra. Burrat ishin të rrethuar nga çetnikët, kushdo që tentoi të arratisej, pushkatohej” – shkruan në librin e saj, “The Superpower Myth”.

“Në fillim të gushtit, Klintonit dhe këshilltarëve të tij iu shfaqën fotografi të frikshme nga satelitët spiunë të SHBA-së. Fotot, të cilat Administrata shpejt i bëri publike, tregonin pjesë të mëdha të dheut të freskët të çapuritur me buldozer rreth Srebrenicës” – tha Soderberg.

Soderberg: Ndikimi rus dhe ai kinez janë prezentë në Kosovë

Ambasadorja Nancy E. Soderberg, që është edhe drejtoreshë e NDI-së në Kosovë, ka thënë se ndikimi dhe dezinformimi rus në Kosovë është real.

Ajo në një intervistë për KallxoPërnime ka thënë se si NDI-ja ka bërë një raport disa vjet më parë lidhur me këtë çështje.

“Shumica prej kësaj përmbajtjeje shpërndahet në mediat sociale. Dhe nëse shikoni sondazhet, ka një rritje në të gjithë rajonin në katër ose pesë vitet e fundit e që e shoh si shumë shqetësuese. Narrativat që po shtyhen nga Rusia dhe deri diku Kina, janë se nuk mund t’i besoni vërtet Perëndimit, që nuk ju duhet vërtet demokracia” – tha ambasadorja Nancy E. Soderberg.

Ajo shton se disa nga sondazhet tregojnë se të rinjtë mendojnë “mirë që nuk duhet vërtet demokracia”, “autoritarizmi mund të funksionojë po aq mirë”.

“Ky është tregimi antirus, ne e kemi parë atë në vendin tim në SHBA në zgjedhjet tona. Kjo narrativë po fiton tërheqje dhe më shqetësuese në mesin e të rinjve, jo vetëm këtu në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Unë do t’i inkurajoja lexuesit tuaj të lexojnë raportet tona për këtë rol dhe ne po punojmë tani me D4D këtu, e cila po bën raportet e veta të monitorimit që janë të frikshme. Dhe kështu le të kthehem te pyetja juaj se cilat janë interesat tona këtu. Nëse Rusia fitoi një terren në këtë pjesë të botës, ata nuk do të ndalen. Putini po përpiqet të rindërtojë këtë perandori të tipit carist. Nuk e kam idenë se si do të evoluojë lufta në Ukrainë, por jam shumë krenar që evropianët dhe SHBA-ja po qëndrojnë me popullin e Ukrainës”, përfundoi ajo.

National Democratic Institute (NDI) në Kosovë kishte publikuar raportin vjetor “Sfidat e integritetit të informacionit: Një kërcënim në rritje për demokracinë e Kosovës”, mbi monitorimin në internet dhe mediat sociale midis marsit 2020 – shkurt 2021.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika