Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se çdo marrëveshje për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit duhet të përfshijë edhe Libanin, duke e cilësuar këtë si kusht për një paqe të qëndrueshme.
Në një postim në rrjetin X, Macron tha se ka biseduar me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, dhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke i inkurajuar që të respektojnë plotësisht armëpushimin.
“Shpreha shpresën time që armëpushimi të respektohet plotësisht nga të gjitha palët në të gjitha zonat e përplasjes, përfshirë Libanin. Kjo është një kusht i domosdoshëm që ai të jetë i besueshëm dhe i qëndrueshëm”, ka thënë Macron, raporton BBC.
Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do të hapte rrugën për negociata gjithëpërfshirëse që do të çonin drejt një paqeje afatgjatë.
Macron po ashtu tha se Franca do të luajë rolin e saj të plotë në koordinim me partnerët në Lindjen e Mesme, duke shtuar se ka diskutuar këtë qëndrim edhe me udhëheqësit e Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Libanit dhe Irakut.
Deklarata e tij vjen pas lirimit të dy shtetasve francezë nga Irani, të cilët kishin qenë të ndaluar për më shumë se tre vite.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa Izraeli ka vazhduar sulmet edhe gjatë ditës së mërkurë.