Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë për Kosovën

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për tensionet në veri të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi në takimin e tyre të hënën

Flamuj të BE-së.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të mbajnë një takim të hënën për të diskutuar për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, pritet që ministrat të “shkëmbejnë mendime rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”.

Para ministrave pritet të paraqitet kryediplomati i BE-së, Josep Borell, që të raportojë në lidhje me situatën dhe pastaj të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

Nuk priten konkluzione ose vendime formale në këtë takim, por diskutimi pritet të fokusohet te masat që blloku evropian mund të ndërmarrë për t’i inkurajuar palët të marrin hapa të menjëhershëm për t’i zvogëluar tensionet.

Bashkimi Evropian kishte shpresuar ta shihte një zbutje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli pati me liderët e dy vendeve në Bruksel një javë më parë.

Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç.

Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.

Lajçak në PE, pritet të diskutojë për dialogun Kosovë – Serbi 

Të martën i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian në Drejtorinë për Zgjerim, Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky diskutim do të zhvillohet në Komisionin për Politikë të Jashtme.

Aty pritet të flitet edhe për takimet e fundit të realizuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe për masat që Komisioni Evropian tashmë ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si masë ndëshkuese për zhvillimet në veri.

Deri më tani janë anuluar disa takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian dhe Kosovës, që ekzistojnë në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika