Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE) ka mbajtur një punëtori dyditore me temë qeverisjen e përgjegjshme gjinore dhe rolin e grave në proceset e vendimmarrjes në nivel komunal.
Misioni i OSBE-së dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) kanë mbajtur këtë punëtori me 10 dhe 11 maj.
Fokusi i kësaj punëtorie ka qenë tek gratë dhe pozitat e tyre vendimmarrëse, pa lënë anash autoritetin e tyre për ta avancuar barazinë gjinore në komunitetet e tyre.
Gjatë punëtorisë, janë prezantuar mjete konkrete dhe modele të praktikave, ilustrime të mënyrave në të cilat buxhetimi i përgjegjshëm gjinor mund të përdoret për të ndërtuar praktika të qeverisjes komunale më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore.
Kilian Wahl, zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së, ka thënë se ka dëshmi të qarta se qeverisja e përgjegjshme gjinore është më efektive dhe se shpie përfundimisht në vendime më të mira dhe komuna më të suksesshme.
Wahl u zotua se Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë së mbështeturi zyrtaret dhe zyrtarët e komunave në avancimin e mëtejmë të shkathtësive dhe kapaciteteve të tyre në këtë fushë.
Marqe Selmanaj, nënkryetare e Komunës së Vitisë, ka thënë se “Gjatë punëtorisë na u konfirmua se përdorimi i mjeteve dhe mekanizmave të barazisë gjinore është thelbësor për të pasur qeverisje më efektive dhe më të përgjegjshme ndaj çështjeve gjinore, si për shembull përmes hartimit dhe zbatimit të planeve komunale të veprimit gjinor dhe buxhetimit gjinor”.
Diskutimet nxorën në pah problemet me të cilat përballen gratë në punën e tyre të përditshme duke përfshirë, mungesën e besimit të eprorëve për t’iu dhënë grave vendimmarrëse përgjegjësi domethënëse apo mundësinë për zhvillim të mëtejmë dhe mungesa e solidaritetit ndërmjet grave, me ç’ rast pjesëmarrëset vunë në dukje se uniteti më i madh ndërmjet zyrtareve nëpër komuna mund të çojë në ndryshime pozitive.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është organizatë ndërkombëtare që shërben si forum për dialogje politike.