Osmani: Rreziku nga Serbia s’ka kaluar, Kosova do t’i mbrojë kufijtë me çdo kusht

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor para Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar vitin 2023 si një periudhë të vështirë, duke theksuar sulmin në Banjskë si momentin më kritik. Ajo ka potencuar vendosmërinë e Kosovës për të mbrojtur kufijtë e saj dhe ka thirrur për unitet dhe bashkëpunim në përballje me sfidat e sigurisë, duke shtuar se rreziku nga Serbia ende nuk ka kaluar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Sot, në një adresim para Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se viti që po kalon ka qenë një periudhë e vështirë për shtetin.

Por, ajo ka theksuar se Kosova do të mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht, dhe se duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë sfidave të sigurisë.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje për unitet dhe bashkëpunim për të kundërshtuar synimet e errëta të Serbisë.

“Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudhat e hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t’u bërë gardianë të Republikës sonë. Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situatë si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigjja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë, këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t’i nënshtrohemi ndarjes së dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë   përballje me Serbinë, e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, ka deklaruar Osmani në Kuvend.

Osmani ka përmendur sfidat e sigurisë, duke theksuar sulmin e 24 shtatorit, ku një grup terrorist u përfshi në një akt agresioni, me qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.

“Ju flas në një fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë me 24 shtator Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist dhe paramilitar i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim, jo vetëm i vendit tonë, por edhe i gjithë rajonit”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka akuzuar Serbinë për financim, trajnim, dhe mbështetje të grupit terrorist, duke shtuar se ky sulm është pjesë e planeve hegjemoniste të fqinjit verior.

Në këtë kohë të vështirë, ajo ka thënë se Kosova ka humbur dëshmorin Afrim Bunjaku, i cili u bë hero dhe dëshmor për mbrojtjen e integritetit të shtetit.

Osmani ka vlerësuar se Serbia nuk është e interesuar për një paqe të qëndrueshme dhe se politika e sotme e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është vazhdim i politikave të Millosheviqit.

“Në këtë ditë Kosova përballë me një agresion tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikë për të cilën ranë shumë dëshmorë për breza. Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste hegjemoniste të Serbisë ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershëm e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të botës serbe”, ka deklaruar Osmani.

“Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në të gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizmin e rajonit mori përgjigjen e merituar, në këtë ballafaqim terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, andaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe një nga të shumtit që ra në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë. Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem dhe vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë, Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka deklaruar tutje ajo.

Lexo edhe: Osmani: Pavarësisht BE-së, Kushtetuesja duhet ta bëjë vlerësimin e draftstatutit

Ajo ka shprehur bindjen se Serbia po punon për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe po godet gjithë Evropën nëpërmjet këtyre veprimeve.

“Askush asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtritë sundimin e ligjit në territorin tonë. Serbia nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme as për fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën, Fatkeqësisht politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund, Banjska ishte vetëm një paralajmërim, dhe Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën sepse po punon për interesat e faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në dhe NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Osmani.

Lexo edhe: Osmani: Dhuna me bazë gjinore e papranueshme, Kosova s’ka vajza e gra për të humbur

“Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombësit tanë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci”

Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, mes të tjerash, ka njoftuar se ka kërkuar lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja, dhe Bujanoci, duke theksuar nevojën për të adresuar diskriminimin etnik dhe shpërnguljen e tyre.

“Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre, me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore”, ka theksuar presidentja Osmani.

Më tej, ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

“E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombësit tanë nga Lugina, dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), do ta bojkotojnë adresimin e përvjetshëm të presidentes Vjosa Osmani sot në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij ka vendosur për bojkot, për shkak se, sipas tyre, presidentja e vendit ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit.

Sipas tij, Osmani e ka luajtur rolin e zëdhënëses së Qeverisë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika