Padia për gjenocid ndaj Serbisë – “vështirë” e argumentueshme juridikisht

Qeveria e Kosovës ka nisur përgatitjen e lëndës së padisë për gjenocid ndaj Serbisë. Por, njohësit e të drejtës ndërkombëtare, këtë po e shohin si rrugë të gjatë dhe vështirë të argumentueshme juridikisht.

Më shtatë maj të vitit 2021, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, kishte paralajmëruar se do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë.

Kjo padi, sipas Kurtit, është një nga prioritetet e ekzekutivit të drejtuar nga ai.

“Do të përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, kishte deklaruar Kurti.

Rozafa Kelmendi, Zëdhënëse e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, ka thënë se qeveria “ka filluar me përgatitjen e lëndës për padi ndaj Serbisë”.

“Akoma, nuk kemi një datë të caktuar për paraqitjen e padisë, duke pasur parasysh që nevojitet shumë përgatitje për një proces të tillë të ndërlikuar dhe të ndjeshëm, që kërkon kohë për t’u përgatitur e përmbyllur, me një punë masive që bëhet prapa perdeve”, ka thënë Kelmendi.

Mirëpo, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, kanë deklaruar për RTV Dukagjini se, me provat e njëjta që Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i ka cilësuar si krime kundër njerëzimit, do të jetë shumë e vështirë që Kosova ta bindë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që është kryer gjenocid.

Prokuroria e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë pas analizimit dhe përpilimit të aktakuzave për krimet e luftës të kryera në Kosovë, i ka cilësuar këto krime si krime kundër njerëzimit. Prokurorët ndërkombëtarë nuk e kanë cilësuar se në këto krime ka elemente të gjenocidit, dhe nuk e kanë përfshirë në aktakuzë, veprën penale për gjenocid.

“Tani nëse pala kosovare do t’i përdorë kryesisht prova dhe dëshmi të njëjta të cilat veç se janë administruar pranë TPNJ-së e të cilat janë kualifikuar si krim kundër njerëzimit, do jetë shumë e vështirë që ta bindin Gjykatën Penale të Drejtësisë që po këto prova të njëjta, tani në këtë gjykatë përbëjnë veprën penale të gjenocidit”.

Në anën tjetër, Afrim Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare, ka thënë se, nëse Kosova dështon në procesin e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë, atëherë, reprezaljet do të jenë të mëdha.

“Kosova mund të përballet me pasoja politike sepse një vendim negativ do të delegjitimonte pretendimet kosovare për krimin e gjenocidit dhe do të hijezonte në masë të madhe përpjekjet e Kosovës për forcim të subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, është shprehur Hoti.

Ai ka treguar se, të drejtën për të ushtruar padi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e kanë shtetet anëtare të OKB-së.

“Gjithsesi, përjashtimisht, mund të ushtrojnë padi edhe entitetet jo anëtare të OKB-së me kusht që apriori ta pranojë statutin e kësaj gjykate”, ka shtuar ai.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka theksuar se, e drejta ndërkombëtare nuk e lejon amnisitimin e këtyre krimeve të cilat “nuk vjetërsohen”, dhe nëse Kosova do të hapë një kapitull të ri me Serbinë, duhet patjetër që të ballafaqohet me të kaluarën.

“Nëse ne po kërkojmë me Serbinë të kemi një marrëveshje të paqes, çështja e ballafaqimit me të kaluarën duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshje. Ne duhet të kemi patjetër një ballafaqim me të kaluarën, duhet të ketë patjetër një proces të njohjes së krimeve që kanë ndodhur në Kosovë dhe të drejtësisë për të gjitha krimet e ndodhura, marrje në përgjegjësi dhe kërkim falje nga ana e Serbisë”.

Sipas saj, për të shtyrë gjithçka përpara duhet të ketë seriozitet, mirëpërgatitje, dhe duhet të shihen të gjitha mundësitë ligjore, por edhe mbështetje ndërkombëtare në mënyrë që qëllimet e Kosovës të realizohen.

Administrimi i provave materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve lidhur me krimet e luftës në Kosovë është bërë në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), kundër krerëve të ushtrisë Jugosllave dhe policisë së Serbisë, prej të cilëve, gjashtë janë dënuar për krimet kundër njerëzimit.

Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2011 është themeluar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, për të mbledhur dhe arkivuar dëshmi për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.

“Ky institut u kritikua për mospërmbushjen me sukses të mandatit të tij, ku në vitin 2018 ky institut u shua. Në vend të këtij instituti pranë Ministrisë së Drejtësisë u krijua Departamenti i Drejtësisë Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit”, ka treguar FDHK.

Tani, qeveria aktuale synon që sërish të krijojë për herë të dytë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ku javët e fundit Ministria e Drejtësisë ka vendosur të krijojë një ekip përgatitor për të bërë analizë për themelimin e këtij instituti.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999, në të cilin u vranë katër mijë e 082 persona.

Sipas të dhënave të FDHK-së, 10 mijë e 794 persona janë shqiptarë, dy mijë e 197 janë serbë kurse, të tjerët, u përkasin etnive të tjera.

Në raportin e publikuar në vitin 2014, i cili përfshin periudhën 1998/99 dhe 2000, tetë mijë e 662 shqiptarë që u vranë gjatë luftës në Kosovë ishin civilë kurse dy mijë e 132 kanë qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Viti më i përgjakshëm ka qenë viti 1999, në të cilin janë vrarë 11 mijë e 199 persona, kurse muaji me numrin më të madh të të vrarëve ishte muaji prill në të cilin janë vrarë katër mijë e 082 persona.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika