Papa Leo XIV do të largohet sot (e shtune) nga spitali Gemelli në Romë, ku iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një tumori kanceroz në mushkërinë e djathtë, njoftoi Vatikani.
Vendimi për daljen e tij u mor pas vlerësimit të ekipit mjekësor. Analizat e gjakut dhe radiografia e kraharorit treguan se gjendja shëndetësore e lejon kthimin e tij në Vatikan.
Sipas zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa pritet të largohet nga spitali në orët e para të pasdites. Të dielën, ai pritet të udhëheqë lutjen Angelus nga dritarja e apartamentit papnor.
Papa 71-vjeçar iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale të martën. Gjatë operacionit, mjekët hoqën lobin e poshtëm të mushkërisë së djathtë dhe konfirmuan diagnozën e adenokarcinomës pulmonare, për të cilën kishin ngritur dyshime ekzaminimet para ndërhyrjes.
Vatikani bëri të ditur se operacioni zgjati rreth 90 minuta, ndërsa qëndrimi i përgjithshëm në sallën operative ishte afërsisht tri orë. Ndërhyrja përfundoi me sukses dhe pa ndërlikime.
Në përditësimin e së enjtes, mjekët kishin raportuar se radiografia e kraharorit tregonte ecuri të mirë të rikuperimit pas operacionit.