Presidenti i Malit të Zi: E papranueshme ndërhyrja në punët e brendshme të vendit

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, e konsideroi "të papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi"

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, e konsideroi “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës)” sikurse tha ai, “për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.

Ai tha se legjislatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit.

“Pres që formimi i qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirisht të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, si dhe në përparësitë programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardeve të jetës si dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës”, tha Milatoviç.

Komenti i presidentit malazez pason deklaratat e zyrtarëve të Beogradit për përfaqësimin e serbëve në qeverinë e re të Malit të Zi si dhe deklaratat e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviç, i cili ditë më parë në një televizion në Beograd, kërcënoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës”, tha Milosh Vuçeviç .

Ai tha se “ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj”.

Edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç, Andrija Nikoliç, tha se Vuqeviç po u bie daulleve të luftës me qëllim të destabilizimit të rajonit.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Serbinë, Sonja Biserko, tha për mediat malazeze se “nuk duhet nënvlerësuar mundësia që Serbia mund të bëjë diçka qo do të rezultonte në një destabilizim të mëtejshëm të rajonit”.

Ajo tha se “letra e 60 zyrtarëve evropianë dhe anëtarëve të Senatit amerikan mbi nevojën e ndryshimit të politikës ndaj regjimit në Beograd, si dhe shkrimet shumë kritike në mediat perëndimore, tregojnë se Vuqiç është nën një trysni të madhe”.

Për Biserko, Kremlini nga ana tjetër po përforcon retorikën ndaj rajonit, ndaj sipas saj nuk duhet lënë jashtë vëmendjes propaganda ruse ndaj opinionit publik serb, që beson se Rusia po fiton (në Ukrainë) dhe se Serbia duhet të mbështet te Moska./VOA

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika