Prokuroria Speciale e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku prokurorja Drita Hajdari ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale deri tani ka ngritur gjithsej 33 aktakuza për krime të luftës, duke përfshirë 89 persona.
“Siç e dini, kompetencën e ka pasur UNMIK-u e pastaj Eulex-i, Prokuroria Speciale ka marrë kompetencat diku në fillim të 2016 për t’i pranuar të gjitha rastet fizikisht në 2018, në mesin e këtyre aktakuzave ka qenë edhe rasti për Mejën e shumë raste të tjera. Deri tani, prokurorët vendorë kanë ngritur 33 aktakuza me 89 persona”, ka thënë ajo.
Prokurorja Hajdari ka theksuar se kjo është një sfidë e madhe për shkak të faktit se shumica e të akuzuarve nuk kanë qenë në Kosovë, por në Serbi.
Lexo edhe: Masakra e Mejës, Prokuroria Speciale: Në aktakuzë janë 53 persona për vrasjen e 370 civilëve
Megjithatë, ajo ka deklaruar se hetimet janë zhvilluar me sukses, duke siguruar prova dhe dëshmi relevante, përfshirë edhe nga Tribunali Ndërkombëtarë Penal për Ish-Jugosllavinë.
“Me marrjen e kompetencave ishim ballafaquar me probleme të shumta, sidomos me rrethanën se kryesit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, shumica prej tyre kanë qenë në Serbi dhe viktimat e dëshmitarët janë në Kosovë dhe kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mundur të ngrijmë akuza pa i marrë në pyetje të pandehurit, po kjo rrethanë nuk ka ndalur, ne i kemi zhvilluar hetimet, i kemi siguruar provat, i kemi intervistuar dëshmitarët, madje i kemi siguruar edhe provat relevante nga Tribunali Ndërkombëtarë Penal për Ish-Jugosllavinë”, ka deklaruar tutje Hajdari.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka theksuar se pavarësisht sfidave të mëdha që paraqet tema e krimeve të luftës në Kosovë, Prokuroria do të vazhdojë pa u ndalur në ndjekjen e këtyre shkeljeve të rënda të drejtësisë.
Lexo edhe: Prokurori Morina: Për Masakrën e Dubravës janë nën hetime 88 të pandehur, një është në paraburgim
Ai ka shprehur vendosmërinë e Prokurorisë për të siguruar drejtësi dhe për t’i trajtuar me seriozitet çështjet e rëndësishme për popullin e Kosovës.
Isufaj ka theksuar se me gjithë kohën që ka kaluar, Prokuroria vazhdon të kryejë detyrën e saj me përgjegjësi ndaj ligjit dhe drejtësisë.
“Do të flasim për një temë sfiduese për fushën tonë dhe te ndjeshme për mbarë popullin tonë. Përkundër faktit se ka kaluar një kohë e konsiderueshme, dua të siguroj se Prokuroria do të vazhdojë pa u ndaluar me ndjekjen e krimeve të luftës përkundër vështirësive që na presin”, ka deklaruar Isufaj.
Ndër problemet për të cilat ka folur Isufaj kanë qenë edhe numri i vogël i prokurorëve dhe mungesa e një marrëveshjeje me Serbinë për trajtim të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë.