Pse kompleksoheni?

Çdo njeri ka disa komplekse si pjesë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme të personalitetit. Psikologët, Arsim Mustafa dhe Visar Syla sjellin më shumë informacione rreth shkaqeve kyçe dhe situatave më të zakonshme që ndikojnë te njerëzit që të krijojnë komplekse

Ilustrim

Shoqata amerikane e Psikologëve ka treguar se komplekset përcaktohen si grup apo sistem idesh ose impulsesh të lidhura, të cilat kanë një ton të përbashkët emocional dhe ushtrojnë një ndikim të fortë, por zakonisht të pavetëdijshëm në sjelljet dhe qëndrimet e individit.

Kjo do të thotë se komplekset përfshijnë modele thelbësore të dëshirave, të emocioneve, kujtimeve dhe përceptimeve që ndikojnë pavetëdijshëm në mënyrën sesi një person mendon dhe sillet. Në përgjithësi, komplekset organizohen rreth një teme të përbashkët, si statusi ose pushteti, raporton “medicinenet”, transmeton Portali Dukagjini.

Disa prej komplekseve me të cilat përballen shoqëritë njerëzore janë:

Kompleksi i persekutimit– Ky është një ndër komplekset më të shpeshta në kohët moderne. Në jetën dinamike që po jetojmë, çdo person nxiton të arrijë më shumë. Kompleksi i persekutimit e bën një person të besojë se të gjithë po përpiqen ta dëmtojnë, dhe kjo e bën personin t’i shikojë njerëzit me dyshime ekstreme.

Kompleksi i inferioritetit– Ky kompleks e bën personin të besojë se është i padenjë ose më pak i aftë se të tjerët. Këta persona mund të mbikompensohen për shkak të këtij kompleksi dhe të arrijnë gjëra të mëdha, megjithatë ata kurrë nuk besojnë se kanë arritur mjaftueshëm sukses. Një kompleks inferioriteti mund të bëjë personin të zemëruar dhe të pakënaqur, duke e bërë atë të shmangë ndërveprimet sociale.

Kompleksi i superioritetit (epërsisë)– Ky kompleks është versioni i kundërt me kompleksin e inferioritetit. Një person me kompleks të superioritetit beson se ai është i jashtëzakonshëm dhe më i mirë se të tjerët. Këta persona kanë një ndjenjë të vetëvlerësimit të ekzagjeruar dhe besojnë se çdo gjë që bëjnë, thonë ose besojnë është e drejtë. Personat me kompleks të superioritetit mendojnë se i kanë të gjitha vyrtytet dhe i shohin të tjerët si inferiorë ndaj tyre.

Psikologu, Arsim Mustafa në një intervistë për Portali Dukagjini ka thënë se, në shoqërinë tonë ekziston një përqindje e lartë sa i përket komplekseve dhe ndër më të zakonshmet janë kompleksi i superioritetit dhe kompleksi i inferioritetit

Mirëpo, ai ka thënë se ato nuk janë të vetmet.

Nga cilat komplekse të tjera përballet shoqëria jonë?

“Kemi edhe komplekse të tjera si: kompleksi i papërsosmërisë fizike, i cili njihet si kompleks që nuk jeni mjaftueshëm të bukur. Kompleksi i fajit ndaj të tjerëve, kompleksi i mashtrimit të vazhdushëm, i cili paraqitet kur një person mendon që vazhdimisht po gënjehet. Kompleksi pushtues, i cili vihet në dukje kur një person përpiqet vazhdimisht të ketë sukses. Kompleksi i ngurtësisë që përfshijnë ndjenjat ndërhyrëse kur njerëzit bëjnë aktivitete që vlerësohen nga njerëzit tjerë, kompleksi i mendimit se janë të vështirë për t’u dashuruar e të tjerë”, ka treguar Mustafa.

Ilustrim

Si mund të shërohen komplekset?

I pyetur se pse njerëzit kompleksohen dhe cilat janë mënyrat se si mund të shërohen nga komplekset, psikologu është përgjigjur se njerëzit kompleksohen gjithmonë për shkak të ndryshimeve patologjike në funksionet mendore të një personi në trurin e tij.

Në këto situata kushtet dhe faktorët që na rrethojnë krejtësisht në mënyra të ndryshme mund t’i inkurajojnë komplekset duke përfshirë familjen, miqtë, personin e preferuar, shoqërinë, vetë njeriun e të tjerë. Ndërsa, shërimi i personave nga komplekset bëhet përmes metodave të ndryshme siç janë, metodat psikoterapeutike për trajtimin e çrregullimeve kompulsive, përballja me komplekset, hipnozat dhe përmes medikamenteve.

“Komplekset paraqiten më së shpeshti te grupmoshat madhore, e sidomos në periudhën e adoleshencës dhe është më e përhapur te gjinia femërore”.

Nga përvoja e tij profesionale psikologu Mustafa thotë se ka pasur raste të shumta të komplekseve të llojeve të ndryshme, ndërsa trajtimet kanë qenë me psikoterapi, e cila përfshin bisedimin dhe bashkëpunimin, po ashtu terapitë të tjera mbështetëse.

Cila është këshilla e psikologut?

Këshilla e psikologut Arsim Mustafa për personat që kanë komplekse është që pavarësisht të gjithave, individi duhet ta pranojë vetën ashtu siç është, pasi çdo person është unik dhe vlen shumë për shoqërinë.

Sa i përket shkaqeve të krijimit të komplekseve psikologu ka rrëfyer se komplekset psikologjike janë të lidhura ngushtë me sferat mendore, krijuese dhe shpirtërore.

Sipas tij, komplekset mund të lindin që nga mosha shkollore kur fëmija vëren se dikush tjetër mund të bëjë më mirë se ai dhe këtu fillon humbja e vetëbesimit. Te humbja e vetëbesimit dhe fitimit të komplekseve ndikon shumë edhe paragjykimi, gjykimi, krahasimi dhe vlerësimi nga të tjerët. Të gjitha këto, fëmijët i bëjnë të ndjehen të ngurtë dhe të tërhequr nga personat e tjerë, duke përfshirë familjen, shoqërinë, personin e preferuar e të tjerë.

Këto ndodhi ndikojnë që fëmijët ta dërgojnë vetën deri te nënvlersimi dhe keqvlerësimi i vetëvetës, i cili rezulton me humbjen e vetëbesimit dhe krijimin e shumë komplekseve.

Psikologu Visar Syla në një intervistë për Portali Dukagjini për përhapjen e komplekseve në shoqërinë tonë ka ndarë mendimin e njëjtë me psikologun Arsim Mustafa, duke thënë se komplekset më të përhapura në shoqërinë tonë janë kompleksi i inferioritetit dhe superioritetit.

Syla thotë se tiparet tona që i përceptojmë si dobësi dhe vetëbesimi i ulët ndikojnë te personat të krijojnë komplekse.

“Për shërimin e komplekseve, hapi i parë është ndërgjegjësimi për komplekset tona. Sapo t’i kuptojmë dhe njohim komplekset, vetëm atëherë mund të bëjmë veprime për t’i ndryshuar ato”, është shprehur Syla.

Cila është grupëmosha më e kompleksuar?

Ai është shprehur se komplekse krijojnë individë në mosha të ndryshme. Mosha më e shpeshtë, sipas tij, është te të rinjtë, të cilët krijojnë përshtypje të gabuara duke u ndikuar edhe nga mendimet e të tjerëve në rrethin ku jetojnë.

Rrethet prej të cilave njerëzit ndikohen më së shumti janë familja, shoqëria apo edhe rrethet më të gjera.

Visar Syla ka rrëfyer se trajtimi i komplekseve kërkon shumë kohë dhe përpjekje.

“Ato mund të minimizohen duke arritur që te klienti t’i rikthehet besimi në vete dhe t’i vihen në shprehje anët pozitive të tij dhe kështu klienti të behet i vetëdijshëm për anët pozitive të tij”.

Faktorët kryesorë që i bën njerëzit të humbasin vetëbesimin dhe të krijojnë komplekse, sipas psikologut Visar Syla janë frika dhe pasiguria.

“Në këtë mënyrë njerëzit nuk filtrojnë informacionet që u nevojiten dhe priren që më parë t’i injorojnë ato”, ka përfunduar psikologu Visar Syla.

 

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika