Putin akuzon Ukrainën për “akt terrorist” kufitar në fshatin rus

Ndonëse guvernatori i rajonit rus, Bryansk tha se "sabotues nga Ukraina" kishin qëlluar mbi një makinë civile në Lyubechane, një fshat kufitar, duke vrarë dy burra dhe duke plagosur një djalë 10-vjeçar, Kievi ka mohuar pretendimet ruse duke i cilësuar ato si "propagandë"

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se një grup sabotues ukrainas hyri në një rajon kufitar rus të enjten dhe hapi zjarr ndaj civilëve në një “akt terrorist”.

Guvernatori i rajonit Bryansk tha se “sabotues nga Ukraina” kishin qëlluar mbi një makinë civile në Lyubechane, një fshat kufitar, duke vrarë dy burra dhe duke plagosur një djalë 10-vjeçar.

Kievi e mohoi pretendimin rus.

Incidenti i supozuar nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Mykhaylo Podolyak, një këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se akuza të tilla paraqesin “një provokim klasik të qëllimshëm”.

“Rusia dëshiron të trembë popullin e saj për të justifikuar sulmin ndaj një vendi tjetër,” tha ai, transmeton BBC.

Rusia ka raportuar më parë për disa sulme me raketa dhe dronë të Ukrainës në zonat kufitare ruse, duke përfshirë rajonin Bryansk. Por, nuk ka pasur raporte të konfirmuara për infiltrimin e forcave tokësore të Ukrainës në Rusi.

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) tha se forcat e FSB-së dhe trupat e rregullta të enjten u përleshën me “nacionalistët ukrainas” që kishin kaluar në Rusi dhe kishin marrë pengje.

FSB tha se “nacionalistët” më pas u goditën me një sulm masiv të artilerisë ruse dhe u shtynë përsëri në Ukrainë. Ata lanë një depo të madhe eksplozivi në fshat, pretendoi FSB.

Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, presidenti Putin e quajti qeverinë e Kievit “nacionaliste” dhe “neonaziste”, duke argumentuar se Rusia duhej të vepronte kundër tyre.

Presidenti Zelensky u zgjodh në mënyrë demokratike, ka origjinë hebreje dhe nuk ka politikanë të ekstremit të djathtë në qeverinë e tij.

Duke folur në televizionin shtetëror rus të enjten, presidenti Putin tha se “sot ata kryen një tjetër akt terrorist, një krim tjetër, depërtuan në zonën kufitare dhe hapën zjarr ndaj civilëve”.

Një video është shfaqur në internet që pretendon se tregon anëtarët e Korpusit Vullnetar Rus me bazë në Ukrainë (RVC) jashtë një klinike lokale. Një burrë i armatosur në videon e postuar në Telegram thotë se ata kaluan në Rusi.

Grupi investigativ i gazetarisë, Bellingcat Monitoring, e përshkruan RVC-në si “një njësi e formuar zyrtarisht vitin e kaluar, e përbërë kryesisht nga figura të së djathtës ekstreme ruse antiPutin, antiKremlin, aktive në Ukrainë.

Një ekspert i Bellingcat, Michael Colborne, ka identifikuar një nga burrat në video si drejtuesi i RVC Denis Kapustin, i cili gjithashtu përdor mbiemrin Nikitin.

Në një postim me video, RVC tha se “hyri në rajonin e Bryansk për t’u treguar bashkatdhetarëve tanë se ka shpresë, se rusët e lirë që mbajnë armë mund të luftojnë regjimin”.

Duke komentuar pretendimin e RVC, një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase, Andriy Yusov, tha se “këta janë njerëz që po luftojnë me armë kundër regjimit të Putinit dhe ata që e mbështesin atë… Ndoshta rusët kanë filluar të zgjohen, të kuptojnë diçka dhe të marrin disa hapa konkretë”.

Këtë javë, Putin akuzoi Ukrainën dhe spiunët perëndimorë për intensifikimin e operacioneve brenda Rusisë. Zyrtarët rusë thanë se një dron u rrëzua në distriktin Kolomna vetëm 100 km (62 milje) nga Moska – megjithëse nuk u konfirmua se ishte ukrainas – ndërsa dy dronë ukrainas dyshohet se u rrëzuan në Rusinë jugore.

Më parë, Rusia kishte thënë se dronët kishin sulmuar një bazë ajrore në Rusinë jugore të përdorur për nisjen e sulmeve me bomba në Ukrainë. Kievi nuk ka marrë përsipër sulmet me dronë brenda Rusisë, duke akuzuar Kremlinin për propagandë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika