Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë konferencës për media, ka thënë se gjatë ditës kanë nënshkruar marrëveshjen me 39 organizata që e kanë si veprimtari edhe shpërndarjen e pakove ushqimore, ku siç tha ai do të ndahen rreth 34 mijë pako në vlerë prej 1.7 milionë euro.
“Sot gjatë ditës kemi nënshkruar marrëveshje me 39 organizata apo shoqata të cilat kryesisht si veprimtari kanë shpërndarjen e pakove ushqimore. Në kuadër të kësaj ka qenë masa 3.4 që kemi bërë shpalljen dhe janë kualifikuar 39 organizata ku gjithsej pritet të shpërndahen 34 mijë pako ushqimore në vlerë prej 1.7 milion euro”, ka deklaruar Murati
Murati bëri të ditur se janë ndarë mbështetja shtesë e 280 mijë pensionistëve, si dhe është shpërndare dyfishi i skemës sociale. Po ashtu, ai deklaroi se rreth 80 mijë zyrtarë publikë kanë përfituar nga masat prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës.
“Deri më tani janë shpërndarë për 280 mijë pensionistë mbështetja shtesë prej 100 euro, dhe gjithashtu, është shpërndarë dyfishi i skemës sociale për 26 mijë familje, si dhe sot janë ekzekutuar edhe pagat për sektorin publik, për rreth 80 mijë zyrtarë publikë”, ka thënë Murati.
Sa i përket mbështetjes për punëtorët e sektorit privat, ai tha që së shpejti, do të formohet komisioni për vlerësim të aplikimeve.
“Procesi është ende i hapur për aplikim dhe po presim aplikimet në vazhdimësi dhe prej javës tjetër do të formojmë komisionin, i cili do të trajtojë të gjitha aplikimet dhe do të fillojë pagesa për këtë kategori”, ka thënë ai.
Ndërsa për studentët, Murati theksoi se ende janë drejt finalizimit të marrëveshjes.
“Për studentët jemi drejt finalizimit të platformës apo formularit për aplikim dhe do të hapet shumë shpejt”, ka theksuar ai.
Murati po ashtu, tha që në seancën e radhës më datën 5 maj, do të hidhet në votim Projektligjin për pagën minimale dhe se deputetët do të kenë mundësinë të votojnë për t`i hapur rrugën rritjes së pagës minimale.
Pensionistët si kategori morën të parët 100 eurot, ndërsa me pagën e prillit pritet t’i marrin edhe punëtorët e sektorit publik.

Më 12 prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe kategoritë e tjera, si pensionistët dhe studentët e universiteteve publike.
Megjithatë, ndarja e 100 eurove nga qeveria për këto kategori është konsideruar si (mos) ndihmesë ndaj qytetarëve, dhe ndihmë ndaj tregtarëve.