Kryetari i Prishtinës,Përparim Rama ka marrë pjesë në protestën e komunave kundër Qeverisë. Ai ka kritikuar ashpër bllokimin e institucioneve lokale dhe fondeve për komunat. Rama e ka quajtur “për marre” gjendjen në të cilën sipas tij Qeveria Kurti i ka sjellë komunat e Kosovës.
Rama ka deklaruar se institucionet po shfrytëzohen për të penguar qytetarët dhe se pasojat e këtyre bllokadave po i bartin drejtpërdrejt qytetarët.
“Sot është 1 shtatori. Në vitet e 90-ta kur Serbia na i mbylli shkollat, ne e nisëm mësimin nëpër shtëpi. Kishim ditarë, krijuam sistem sepse edhe atëherë nën okupim e dinim se shteti ndërtohet duke i mbajtur institucionet gjallë. Në Kosovë sot, nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditar. Sot pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për të bllokuar dhe ndëshkuar qytetarin. Shikojeni se çka po ndodh… Aty ku Vetëvendosja nuk fiton, Qeveria po e bllokon buxhetin dhe investimet. Po bllokohen të hyrat vetanake. Po merren nga buxhetet vetanake mjetet për kontrata të cilat komunat as që i kanë vetë… s’ishin pjesë e procesit vendimmarrës. Po e paguani ju qytetarë këtë. Pas gjithë kësaj sakrifice të popullit, pas luftës pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave për të krijuar institucionet, sot jemi në një pikë që duhet t’i mbrojmë komunat nga njerëzit që iu udhëheqin këto institucione. Katastrofale kjo. Duhet t’i mbrojmë komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre”, ka thënë Rama në fjalimin e tij.
Ai më pas ka komentuar disa figura të Vetëvendosjes e që sot janë ministra.
“Çfarë paradoksi. Shikojeni kush po i udhëheq këto institucione. Po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegë, i kanë sulmuar me zolla e gaz lotsjellës pikërisht këto institucione. Fatkeqësia edhe më e madhe është që sot ministri përgjegjës për sigurinë gjykohet për cenim të sigurisë, ai që sot udhëheq policinë dikur ka sulmuar policinë tonë… Ministri që duhet të përfaqësojë diplomacinë e Kosovës sot akuzohet për sulm ndaj institucioneve që vetë i përfaqëson. Fatkeqësia tjetër është se presidentja që duhet të jetë shembulli më i lartë i respektit dhe integritetit është akuzuar publikisht se ka kontrabanduar gaz lotsjellës brenda këtyre institucioneve. Për më tepër për ta udhëhequr Kuvendin, për të cilin në këtë shesh është derdhur gjak, duke e kërkuar pikërisht këtë Kuvend të kësaj republike, Kurti e solli në krye të Kuvendit një njeri që UCK-në e ka quajtur organizatë kriminale. A po e kuptoni çka po ndodh o njerëz. A po e kuptoni agjendën? Këtu zhvlerësohet çdo periudhë, çdo institucion, çdo hero, çdo familje dhe njeri që ka kontribuar për lirinë dhe shtetin”, ka thënë Rama.
Në fund Rama ka thënë se “Kosova nuk është e një mashtruesi si Albin Kurti” teksa ka përfunduar fjalimin me thirrjet “poshtë diktatura”.