Rritet interesimi për pasaporta

Më datën 1 janar të vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në dhjetëra vende të Evropës pa viza

“Sot po të kem mundësi, ec. Akshami s’do të më zinte këtu. Me padurim po e pres janarin”.

Me datën 1 të këtij muaji, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në dhjetëra vende të Evropës, dhe Qëndrimi thotë se nuk mendon gjë tjetër veçse të udhëtojë drejt Gjermanisë te xhaxhallarët e tij.

Si 25-vjeçar, ai është pajisur për herë të parë me pasaportë para dhjetë ditësh.

Thotë se në Kosovë punon në një kompani private ndërtimi, e cila “nuk e paguan mirë”.

“Do të mundohem të punoj në Gjermani, njëherë nga tre muaj. Më vonë, shpresoj të mbes atje”, thotë Qëndrimi, duke mos dashur të identifikohet edhe me mbiemër.

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të asaj që njihet si zona Schengen.

Por, udhëtimet e tilla duhet të shërbejnë vetëm për vizita turistike apo çështje familjare dhe nuk nënkuptojnë assesi leje pune ose përfitime të tjera.

Më shumë aplikime për pasaporta

Sikurse Qëndrimi, edhe dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës kanë aplikuar sivjet për herë të parë për pasaportë.

Të dhënat që Radio Evropa e Lirë i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mbulojnë periudhën 1 qershor – 6 nëntor të këtij viti, dhe sipas tyre, janë 51.365 qytetarë që kanë aplikuar për herë të parë për pasaportë.

Krahasuar me shifrën e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, 48.791, bëhet fjalë për 2.574 aplikime më shumë.

Në mesin e tyre dominojnë grupmosha 0-2 vjeç dhe grupmosha 18-22 vjeç.

Ardi Ukaj, 21 vjeç, aplikoi në fund të tetorit për t’u pajisur me pasaportë – po ashtu për herë të parë.

REL-i e takoi atë në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë, ku po interesohej nëse dokumenti i tij është gati.

Gjermania është edhe për të destinacioni i dëshiruar.

“Por, si turist, për vizitë… Nuk punoj pa dokumente të rregullta, sepse ma ndalojnë hyrjen dhe nuk rrezikoj”, thotë Ardi.

Ka interesim, por jo fluks masiv

Në disa agjenci turistike në Kosovë pohojnë se ka rritje të interesimit të qytetarëve dhe grupeve të organizuara për oferta të udhëtimit në vendet e Bashkimit Evropian, pas 1 janarit, 2024, por sipas tyre, nuk bëhet fjalë për ndonjë fluks masiv.

Blerina Gashi nga agjencia turistike ajrore Eurokoha, thotë se në bazë të rezervimeve të deritashme, qytetarët në mesin e 20-tave janë më të interesuar për të udhëtuar.

Fatmire Beqiri nga agjencia turistike Veneta Travel thotë se ka filluar tashmë përgatitjet për udhëtime të organizuara pas 1 janarit.

“Interesimi për to është shumë i madh, pasi deri më tash, ka pasur probleme për t’u pajisur me viza dhe shumë qytetarë as që kanë tentuar t’i grumbullojnë dokumentet e shumta për aplikim”, sipas Beqirit.

Ngjashëm pohojnë edhe në agjencitë që organizojnë udhëtime me autobusë.

Ruzhdi Kurtishaj nga Sharr Travel thotë se interesimi i vërtetë për të udhëtuar pritet të shihet nga dhjetori e andej, raporton REL.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika