Rusia thotë se ka rrëzuar mbi 200 dronë të Ukrainës

Rusia tha se ka rrëzuar 221 dronë ukrainas gjatë natës – një nga shifrat më të larta të fluturakeve të rrëzuara që kur ka nisur lufta mes dy shteteve mbi tre vjet më parë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 12 shtator se sistemet e mbrojtjes ajrore “kanë penguar dhe shkatërruar” dronët, mbi gjysma e të cilëve fluturuan mbi rajonet e Brjanskut dhe Smolenskut.

Në mesin e fluturakeve të rrëzuara përfshihen edhe 28 avionë, që Rusia tha se i rrëzoi mbi rajonin e Leningradit.

Guvernatori i Leningradit, Aleksandr Drozdenko, tha se shpërtheu një zjarr në një anije në portin e Primoskut, në Detin e Zi, pas sulmeve me dronë në këtë rajon.

Sulmet vijnë pasi Polonia, që gjendet në kufi me Ukrainën, më herët gjatë javës tha se kishte rrëzuar dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore.

Moska mohoi se kishte shënjestruar Poloninë, por tha se kishte kryer një sulm ajror në Ukrainën perëndimore.

Megjithatë, Franca dhe Gjermania ndërmorën hapa për të forcuar mbrojtjen në hapësirën ajrore polake, teksa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar për çështjen e inkursionit rus në Poloni.

Rusia ka shënjestruar Ukrainën vazhdimisht me dronë që kur ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj më 2022./REL

Të fundit nga rubrika