Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se nuk pret ndonjë risi nga takimi në mes të kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel.
I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Sherifi e ka kritikuar Qeverinë aktuale në krye me kryeministrin Albin Kurti, për mostransparencë.
“Nuk ka asgjë të re. Kemi deklaruar se presionet do të vazhdojnë dhe çdo takim është një shtytje drejt realizimit të marrëveshjes për Asociacionin që tanimë kryeministri Kurti e ka pranuar. Petkoviq dhe Bislimi nuk bëjnë asgjë tjetër pos të përpiqen që të dakordohen për ndonjë detaj për të cilat paraprakisht janë marrë vesh. Nuk pres ndonjë risi nga takimi. Kjo është një errësirë e plotë, një standard shumë i lartë i arritur nga kjo qeveri sa i përket aspektit të mostransparencës”.
“Nuk mund të gjykosh se çka është duke u biseduar sot, çka mund të arrihet e jo, për faktin se bisedimet janë në përgjithësi totalisht jo transparente. Është shqetësuese sepse një ditë gjithçka do të formalizohet, ai nuk mund të ikë”, ka thënë Sherifi.
Sa i përket modelin kroat të Asociacionit, Sherifi ka dilema që një gjë e tillë mund të ndodhë në Kosovë.
“Ky model nuk është rezultat i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është rezultat i operacionit ushtarak, ndërsa çdo model i Asociacionit që pretendohet të arrihet përmes bisedimeve nuk mund t’i ngjajë një Asociacioni që ka ardhur si rezultat i një operacioni ushtarak”.
“Albin Kurti ka ardhur në deregje sa që të pranojë në vend që Qeveria e tij të dorëzojë një draft dhe pozicioni pastaj të jetë shumë më i favorshëm, mandaton një deputete e Vuçiqit për të draftuar një draft që qenka brenda Kushtetutës së Kosovës, është një lajthitje totale, është një zmbrapsje. Asgjë më nuk po bëhet për të shmangur, gjithçka po bëhet për të rraskapitur opinionin publik nga strategjia e rraskapitjes. Një proces i gjatë, i lodhshëm, i mundimshëm, quhet teoria e rraskapitjes në diplomaci”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti nuk ka zgjidhje tjetër, ose ta pranojë Asociacionin ose ta dorëzojë mandatin.
“Kjo qeveri, Albin Kurti, për t’u liruar nga presioni madh ndërkombëtar edhe do të pranojë një Asociacion me kompetenca ekzekutive, nuk ka rrugë tjetër, ose ta pranojë ose do të duhet të kthehet te populli dhe ta dorëzojë mandatin. Nëse Kurti heq dorë nga popullizmi, dhe thotë se e di që kam bërë premtime që janë vështirë të realizohen mirëpo jam i gatshëm të bëjmë vetëm në këmbim me njohjen, mendoj se ia vlen të rishikohet për të dhënë diçka më shumë nëse do të vinte njohja”, shtoi ai.
Në anën tjetër, në një linjë direkte në emisionin “Five”, analisti Nexhmedin Spahiu ka theksuar se me Serbinë po bëhet Pazar për njohjen.
Ai ka theksuar se përmes Asociacionit po përpiqet që të blihet njohja.
“Ky është një pazar, përmes Asociacionit po përpiqemi ta blejmë njohjen dhe nuk mund të përcaktohet sa po do ta blesh. Plani franko-gjerman e ka njohjen de jure dhe de facto, por njohje nuk do të thotë se vjen vetëm përmes notës qeveritare, mund të jetë edhe e heshtur që mund të vijë përmes ambasadave. Jemi në një pazar me Serbinë”, ka thënë Spahiu.
Kur pyetet se a ka ndonjë çmim që mund ta japë Kosova për ta bërë modelin kroat të Asociacionit, Spahiu ka thënë se nëse Kosova e blen njohjen me modelin kroat, ky do të ishte një sukses i madh i vendit.
“Nëse arrin ta blejë me këtë çmim, Bosnja e ka blerë njohjen nga Serbia me Republikën Srpska, është një çmim i lartë, nëse Kosova e blen njohjen me modelin kroat do të ishte fantazi. Në momentin që dakordohen palët për statutin e Asociacionit atëherë mbetet të shihet nëse Serbia e bën hapin tjetër”, shtoi ai.
Ndryshe, në Bruksel, pasditen e 15 majit ka nisur takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Rundi i ri i dialogut pritet të ketë në fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.