Shtyhet ekzekutimi i vendimit të komunës së Prishtinës për mbylljen e rrugëve

Gjykata Komerciale e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Grupit “Koha”, për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të komunës së Prishtinës, të nxjerrë nga kryetari Përparim Rama më 18 gusht 2023, me të cilin parashihej mbyllja e rrugëve/rrugicave të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare nga 1 shtatori, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.

Vendimi të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi’, është marrë më 30 gusht nga gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi.

“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Grupi “KOHA”, Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit. SHTYHET ekzekutimi i vendimit me Nr.12-020.05- 171446/23 i datës 18.08.2023, i publikuar më datë 21.08.2023, i nxjerrë nga Kryetari i Kryeqytetit të Kosovës, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se më 28 gusht 2023, paditësi/propozuesi Grupi “Koha”, përfaqësuar nga drejtoresha menaxhuese Flaka Surroi, ka parashtruar padi kundër të paditurit/kundërshtarit të propozimit kryetarit Përparim Rama, për shtyrje të vendimit të 18 gushtit 2023, i cili ishte publikuar më 21 gusht 2023.

Në vendim thuhet se paditësi/propozuesi ka theksuar se kryetari Rama me vendimin e 18 gushtit, ka vendosur t’i mbyllë tri rrugë të qytetit për qarkullim, e të cilat kalojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të Bibliotekës Kombëtare, duke filluar nga 1 shtatori 2023.

Aty thuhet se propozuesi Grupi “Koha”, është medium që gjendet në rrugën “Xhorxh Bush”, e i cili qasjen në parkingun e objektit të pronës së tyre e shfrytëzon në mënyrë të ligjshme, në mënyrë të rregullt dhe të vetme nga kjo rrugë, ndërsa me mbylljen për qarkullim të mjeteve motorike në rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në parkun e UP-së dhe të Bibliotekës, Grupit “Koha” i pamundësohet qasja në parkingun që gjendet në objektin e vet.

Në vendim thuhet se pasi Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit, vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar padinë, pasi paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej.

Po ashtu, thuhet se ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare.

“Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimit kundërshtues paditësit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm pasi që ekzekutimi i vendimit do t’ia pamundësonte paditësit/propozuesit qasjen direkte në objektin e punës me vetura zyrtare të Grupit “KOHA”, e që do të shkaktonte çrregullime dhe vështirësi të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në funksionimin dhe ushtrimin e aktivitetit të rregullt për marrjen e informacionit dhe informimin e publikut”, thuhet në vendim.

Më tej, thuhet se ekzekutimi i vendimit do të kishte edhe pasoja financiare për paditësin.

Gjykata vlerësoi se nuk ekziston ndonjë rrethanë sipas së cilës të paditurit- komunës së Prishtinës do t’i shkaktohej ndonjë dëm nga shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.

Sipas vendimit, është përmbushur kushti se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm financiar paditësit, pasi do të detyrohet të parkojë veturat jashtë parkingut të saj, sepse në posedim ka 13 vetura për kryerjen e detyrave zyrtare, ku parkimi ditor kushton 15 euro për veturë  (195 euro në baza ditore).

Po ashtu, kushti i dytë se shtyrja e ekzekutimit nuk është në kundërshtim me interesin publik, pasi në të kundërtën kufizimi i qasjes së një medium në objektin e vet vetëm cenon interesin publik dhe kushti i tretë që shtyrja nuk i sjell palës kundërshtare dëm.

Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktvendimit, në Dhomën e Shkallës së Dytë në Gjykatën Komerciale, përmes Dhomave të Shkallës së Parë të kësaj Gjykate.

Lidhur me këtë vendim, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili tha se nuk e kanë pranuar ende vendimin.

“Të hanen ulemi e shohim me zyrën ligjore me juristët tanë edhe shohim për hapat tutje”, tha ai.

Ndryshe, përmes padisë së 28 gushtit 2023, Grupi “Koha” kishte bërë edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në fjalë, deri në nxjerrjen e vendimit gjyqësor sipas kushteve të përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Në padi thuhet se kryetari me vendimin kontestues kishte vendosur për mbylljen për qarkullim të mjeteve motorike të tri rrugëve të kryeqytetit, nga data 1 shtator 2023.

Sipas padisë, ky vendim është marrë në shkelje të dispozitave lidhur me procedurën administrative dhe dispozitat që rregullojnë formën apo elementet e detyrueshme të aktit administrativ, duke bërë kështu këtë vendim të paligjshëm në kuptim të nenit 52 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Përveç kësaj, në padi theksohet se paditësi është një medium me seli në Prishtinë dhe në oborrin e objektit ku e zhvillon aktivitetin është edhe parkingu i së njëjtës, ku rrjedhimisht anëtarët e stafit të paditësit që kanë shfrytëzuar parkingun që gjendet në oborrin e vet, nuk do të kenë mundësi të kenë qasje në objektin e vendit ku edhe punojnë.

Andaj, mbi këtë bazë Grupi “Koha” ka kërkuar që të aprovohet në tërësi si e bazuar padia ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës dhe të anulohet vendimi i 18 gushtit. Po ashtu, Grupi “Koha” ka kërkuar edhe që të aprovohet kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të atakuar me padi deri në vendosjen meritore të çështjes kryesore sipas padisë për konfliktin administrativ.

Ndryshe, Grupi “Koha” më 28 gusht 2023 ka parashtruar ankesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), kundër vendimit të kryetarit të Prishtinës.

Ankesën e tillë, Grupi “Koha” e ka parashtruar me pretendimin se vendimi i atakuar është rezultat i shkeljes së dispozitave lidhur me procedurën administrative, është nxjerrë në ankesë me dispozitat që rregullojnë formën apo elementet e detyrueshme të aktit administrativ, është në ankesë me ligjin material dhe nuk është në pajtim me parimin e proporcionalitetit.

Nga MPB, Grupi “Koha” ka kërkuar që ankesën e tillë ta aprovojë në tërësi si të bazuar dhe të ndryshohet vendimi i kryetarit të komunës së Prishtinës, i 18 gushtit 2028.

Kundër mbylljes së qarkullimit të mjeteve motorike, kanë protestuar të premten edhe banorët e rrugës “Rexhep Luci”, të cilët thanë se ky vendim ua vështirëson jetën.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 26 gusht ka reaguar, duke vlerësuar se është i paligjshëm vendimi i kryetarit Rama për mbylljen e disa rrugëve në qendër të kryeqytetit, përfshirë rrugën e vetme për t’iu qasur me automjete dy mediave kombëtare.

IKD-ja i ka rekomanduar komunës së Prishtinës që ta anulojë vendimin e datës 18 gusht dhe para nxjerrjes së vendimit të ri lidhur me këto rrugë, të zhvillojë konsultime publike cilësore si dhe të nxjerrë vendim të arsyetuar, ashtu siç kërkohet me ligj. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika