Sot hyn në fuqi rregullorja e BQK-së

Banka Qendrore e Kosovës javë më parë ka publikuar rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, përmes së cilës bëhet e ditur se ndalohet riqarkullimi i kartëmonedhës 500 euroshe dhe se e valuta e vetme zyrtare në Kosovë është euro.

Për valutat të tjera, BQK ka vendosur të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta joeuro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta joeuro dhe për aktivitetet të këmbimit valutor”.

Vlerësohet i duhur vendimi i BQK-së për përdorimin e euros si valutë e vetme në Kosovë

Megjithatë, pas kësaj rregullore pati reagime të shumta, pasi rregullorja përjashton dinarin serb, me të cilën janë kryer pagesa në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme.

Ai ka thënë se çfarëdo tentative që rregullorja të trajtohet vetëm nga aspekti i ndalimit të ndonjë monedhe të caktuar, përbën tendencë të keqpërdorimit të kësaj rregulloreje për motive të tjera.

“Rregullorja e BQK-së hyn në fuqi nga dita e nesërme. Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër. Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim, meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas Bislimit, qëllimi i rregullores nuk ka qenë ndalimi i ndonjë valute tjetër dhe se nuk  ndalon, nuk lejon e as nuk merret me dinarin serb, pasi siç thotë ai, nuk ka qenë i lejuar as më herët.

“Rregullorja as nuk e ndalon e as nuk e lejon, e as nuk merret me dinarin serb, sepse nuk ka qenë i lejuar më herët”, ka vijuar ai.

Bislimi ka thënë tutje se qytetarëve serbë do t’u mundësohet një periudhë tranzitore për t’u informuar më mirë rreth ndryshimeve në këtë rregullore, duke përsëritur se euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare dhe se nga nesër nuk do të ketë masa ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

Sipas Bislimit, mekanizmat e Qeverisë që mbikëqyrin këtë rregullore do të fokusohen për investim në informim dhe do t’u kërkohet bizneseve në veri që të regjistrohen e komercializohen teksa ka shtuar se bankat komerciale janë udhëzuar të hapin degë në veri.

“Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, edhe miqtë tanë nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores. Nuk e vë në dyshim që BQK është institucion i pavarur. Nuk e kontestojnë që euro ka qenë dhe vazhdon te jetë e vetmja valutë në qarkullim. E vetmja brengë e partnerëve tanë është që në përshtatje.. të kenë pak me shumë kohë në dispozicion dhe të jenë të informuar mirë për ndryshimet në rregullore”, ka theksuar ai.

Ai ka njoftuar se Qeveria ka lutur menaxhmentin e BQK-së që të vendosë linjë komunikimi me Bankën e Serbisë për t’i gjetur mekanizmat e duhur për mjetet që vijnë nga Serbia.

Ai tha se shpreson në bisedime mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë, për gjetjen e një marrëveshjeje për transferimin transparent të mjeteve në Kosovë.

Bislimi e kritikoi Serbinë për keqpërdorim me para në emër të serbëve të Kosovës.

“Presidenti serb deklaron që ai dërgon në Kosovë çdo vit 800 milionë euro, sikur të vinin 800 milionë euro në Kosovë, serbët e Kosovës do t’i kishin të ardhurat si qytetarët e Japonisë. Në Kosovë do të vijnë më pak se 200 milionë euro. Vendosja e transparencës e vendos në siklet Vuçiqin të deklarojë ku shkojnë paratë e tjera”, ka shtuar Bislimi.

E lidhur me këtë, të mërkurën janë deklaruar edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Osmani tha se sa i përket zbatimit në praktikë janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do të respektohej neni 11 i Kushtetutës së Kosovës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve në veri në mënyrë që të zbatohet pa problem dhe me përkrahjen e shteteve aleate.

“Do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike… Jam për atë që zbatimi të jetë i plotë dhe jo veç në letër dhe për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri… mund të bëhet edhe njëra edhe tjetra…”, tha ajo.

“Kushtetuta është mbi të gjitha, por aleatët tanë nuk janë kundër Kushtetutës sonë. Kushdo që sugjeron një gjë tillë nuk e njeh historinë e Republikës së Kosovës…. Historia e Kosovës, si shtet i pavarur e sovran është arritur me sakrificën e heronjve tanë, por edhe me mbështetjen e aleatëve që po punojnë bashkë me ne për shtrirjen e sovranitetit në veri”, tha ndër të tjera e para e shtetit.

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka thënë se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë të pavarura dhe i tillë është edhe ai për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.

Ai ka deklaruar se rregulloret dhe vendimet e BQK-së janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mohoi se do të shtyhet apo të anulohet rregullorja që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti i këtij viti.

Ai theksoi se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.

I pyetur nga “KosovaPress” nëse do të shtyhet ky vendim, ai ka thënë se e njëjta mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serbë janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës.

“Qysh me shty, çka me shty, a i bie që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin, ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serbë. Ata janë të mirëseardhur e të mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.

Ndryshe, vetë kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, thotë se pezullimi i rregullores së këtij institucioni, që do t’i ndalonte komunitetit serb përdorimin e dinarit të Serbisë, nuk është në diskutim.

Ai ka thënë se në diskutim është vetëm shtyrja e zbatimit.

Megjithatë, deri në këto momente nuk ka ndonjë njoftim nga BQK apo autoritetet e tjera shtetërore për shtyrjen e zbatimit të Rregullores për Operacionet me Paratë e Gatshme.

Kjo rregullore është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika