Thaçi: Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar edhe për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi

"Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova", ka deklaruar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga dhomat e paraburgimit në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit në Hagë është intervistuar nga Gazeta Nacionale.

Në mesin e shumë gjërave të ngritura në këtë intervistë ishte edhe periudha e luftës në Kosovë.

Thaçi është shprehur se Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar edhe për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi.

Ndër tjera, ai ka theksuar edhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë.

“Por, unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në. Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së. Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni. Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka thënë se duhet të mendohet vetëm e ardhmja e Kosovës dhe jo kapitujt e mbyllur të saj, duke përmendur kështu luftën, pasi sipas tij, populli i Kosovës i rezistoi agresorit dhe fitoi.

“Të them të drejtën, më shumë mendoj për të ardhmen se sa për kapitujt e mbyllur suksesshëm të Kosovës. Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror. Ne fituam”, ka vijuar ai.

Ai ka thënë se paqja duhet të forcohet, historia duhet të respektohet dhe të merret parasysh se është meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore.

“Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët. Vetëm me histori nuk mund ta fitojmë të ardhmen, historia duhet respektuar, institucionalizuar. Ajo është mishërim i qytetarëve, por nuk garanton sukses për të sotmen dhe të ardhmen. Nëse dështojmë sot, e lëndojmë dhe e përbaltim historinë e fitores së djeshme. Por, duhet pasur parasysh se historia jonë e suksesit nuk është vetëm pronë kosovare, është edhe meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera, ai thekson se Kosova është storie e suksesit të përbashkët pasi siç thotë ai, pa përkrahjen e sponzoruesve të lirisë dhe pavarësisë si shoqëri mund të mbijetojë ngatërrueshëm disi, por si shtet funksional nuk mund të ekzistojë.

“Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare. Duhet kujtuar se jo të gjithë faktorët relevantë botërorë ishin entuziastë për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur”.

Ai ka thënë se nëse nuk ka paqe, Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema pasi siç thotë ai, një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson.

“Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur. Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson”, ka përfunduar ai.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Specialja e akuzon atë se së bashku me Veselin, Selimin dhe Krasniqin, dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika