Një reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë (UNS) i publikuar më detajisht nga një medium serb mbi mungesën e shpërndarjes së shtypit ditor në gjuhën serbe në Kosovë paraqitet si një reagim në mbrojtje të lirisë së medias.
Megjithatë, përmbajtja e tij shfaq elemente të qarta të një qasjeje selektive dhe të politizuar.
Në thelb, reagimi ndërton një narrativë ku ndalimi i importit të mallrave nga Serbia paraqitet si “ndalim i shtypit në gjuhën amtare”.
Kjo është një thjeshtëzim problematik.
Nuk bëhet fjalë për ndalim të mediave në gjuhën serbe brenda Kosovës, por për kufizime në importin e produkteve të caktuara, përfshirë gazetat e shtypura në Serb.
Vetë teksti e pranon se mediat elektronike në gjuhën serbe funksionojnë, çka tregon se qasja në informacion nuk është e ndërprerë. Megjithatë, kjo pjesë trajtohet si dytësore, ndërsa fokusi mbetet tek narrativa e “mohimit të të drejtave themelore”, duke krijuar një perceptim më dramatik.
Një problem tjetër thelbësor është mungesa e balancës.
Reagimi mbështetet vetëm në deklarata nga përfaqësues të komunitetit serb dhe analistë kritikë ndaj institucioneve të Kosovës, pa përfshirë asnjë qëndrim zyrtar nga autoritetet e Kosovës.
Kjo e kthen reagimin nga një qëndrim profesional i një organizate gazetarësh në një shkrim me ngarkesë politike.
Termat si “precedent që nuk ekziston askund në botën moderne” apo përshkrimi i Kosovës si “mjedis hermetik për mendimin ndryshe” janë formulime të ekzagjeruara.
Po ashtu, reagimi anashkalon plotësisht kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe masat reciproke që kanë ndikuar në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve ndër vite. Pa këtë kontekst, reagimi është i cunguar.
Vlen të theksohet se mungesa e shtypit të shtypur nuk është fenomen që prek vetëm mediat në gjuhën serbe. Që nga periudha e pandemisë COVID-19, në Kosovë pothuajse ka pushuar botimi i gazetave të përditshme në gjuhën shqipe, si pasojë e transformimit të tregut mediatik dhe kalimit masiv në platformat online.