Zelensky në Hagë thotë se Putini duhet të përballet me drejtësinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Hagë të Holandës të enjten, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të sillet para drejtësisë për luftën e tij në Ukrainë.

Ai ka bërë thirrje për krijimin e një gjykate speciale të dedikuar për gjykimin e pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne do të krijojmë një gjykatë të veçantë për të treguar se këta njerëz nuk janë të paprekshëm. Ne kemi nevojë për drejtësi”, ka thënë ai në një konferencë shtypi.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, një gjykatë e përhershme për krimet e luftës me seli në Hagë, në mars lëshoi një urdhër arresti për Putinin për dëbimin e dyshuar të fëmijëve nga Ukraina, që do të ishte një krim lufte.

Por GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi krimin e agresionit në Ukrainë.

Një akt agresioni përkufizohet nga Kombet e Bashkuara si “pushtim ose sulm nga forcat e armatosura të një shteti (në) territorin e një shteti tjetër, ose çdo pushtim ushtarak”.

Komisioni Evropian, ndër të tjera, ka thënë se mbështet krijimin e një qendre të veçantë ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimit të agresionit në Ukrainë, që do të ngrihet në Hagë.

“Ne të gjithë duam të shohim një Vladimir (Putin) tjetër këtu në Hagë, atë që meriton të sanksionohet për veprimet e tij kriminale këtu, në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Zelensky në një fjalim më herët gjatë ditës, raporton REL.

“Jam i sigurt se kjo do të ndodhë kur të fitojmë dhe ne do të fitojmë”, ka thënë ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Holandë të mërkurën vonë për një udhëtim të paparalajmëruar më parë.

Ai arriti në aeroportin e Amsterdamit me një aeroplan të qeverisë holandeze që vinte nga Helsinki dhe më pas u drejtua në një autokolonë drejt Hagës nën shoqërimin e policisë.

Ligjvënësit holandezë konfirmuan në Twitter se një takim me presidentin ukrainas ishte planifikuar në Hagë të enjten.

Mediat holandeze raportuan se ai do të takohet gjithashtu me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe do të mbajë një fjalim në Hagë.

Vizita e presidentit ukrainas, Zelensky, nuk u njoftua paraprakisht dhe shënon vizitën e parë të liderit ukrainas në Holandë.

Më parë, ai ishte takuar me liderët nordikë në një samit në Finlandë, në të cilin ata premtuan mbështetjen e tyre për liderin ukrainas për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

Holanda deri tani i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej rreth 1.2 miliardë euro duke ndihmuar Ukrainën që të mbrohet kundër pushtimit të plotë të Rusisë.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika