“Zgjedhjet e reja – e vetmja zgjidhje për paralizën aktuale në veri”

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri po konsiderohet si zhbllokim i paralizës aktuale nga njohësit e proceseve politike, teksa potencohet se ky hap do t'i paraprinte domosdoshmërive të përgjithshme të përcaktuara nga aleatët ndërkombëtarë

Ilustrim

Ende pa u bërë dy muaj nga procesi i 23 prillit, vendet perëndimore kanë propozuar organizimin e zgjedhjeve të reja për t’i qetësuar tensionet në veri të Kosovës.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, më 5 dhe 6 qershor, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, si dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se paradoksalisht, zgjedhjet e reja në veri do ta sjellin një normalitet brenda jonormalitetit.

“Paradoksalisht, zgjedhjet e reja në Veri do ta sjellin një normalitet brenda jonormalitetit. Pasi jemi demokraci përfaqësuese, me ardhjen në pushtet të kryetarëve të legjitimuar nga vullneti politik i shumicës së qytetarëve të komunave përkatëse, kjo çështje do të largohet nga lista e problemeve”, ka thënë Muhaxhiri.

Analisti, Artan Muhaxhiri

Ndërsa, se a do të ketë presion ndërkombëtar mbi palën serbe për të marrë pjesë në zgjedhje të reja në veri, Muhaxhiri ka thënë se pjesëmarrja e serbëve do të jetë absolutisht e sigurt dhe më e madhe se herëve të kaluara.

“Nëse krijohen parakushte standarde për proces zgjedhor, pjesëmarrja e serbëve do të jetë absolutisht e sigurt dhe më e madhe se herëve të kaluara. Nuk është aspak e besueshme që t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe ta stigmatizojnë veten si pengues të dinamikave dialoguese”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm real, sepse ato do ta zhbllokojnë paralizimin aktual dhe se ky hap i parë pastaj do të ndiqej nga fazat tjera konstruktive.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej që të bënte gjithçka që është në kompetencat e saj për të siguruar parakushte korrekte institucionale për mbarëvajtje të zgjedhjeve.“Do të ishte pragmatike që këto zgjedhje t’i ndërlidhte me ndonjë kapitull tjetër të rëndësishëm të dialogut dhe kësisoj t’i paraprinte domosdoshmërive të përgjithshme të përcaktuara nga aleatët ndërkombëtarë”, ka theksuar Muhaxhiri.

Osmani e hapur për zgjedhje të reja në komunat veriore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja janë të mundshme nëse peticionin e nënshkruajnë 20 për qind e qytetarëve të regjistruar në regjistrin zgjedhor.

Në bazë të ligjeve të Kosovës, në këtë mënyrë do të iniciohej procesi për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Përveç kësaj, mundësi tjetër është nëse arrihet ndonjë pajtim më i madh politik dhe kryetarët e rinj shqiptarë, në këtë rast, japin dorëheqje.

Përveç peticionit të përmendur nga presidentja Osmani, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK), në një përgjigje për Portalin Dukagjini tregon se mundësia tjetër është edhe dorëheqja e kryetarëve aktualë.

“Ekzistojnë dy zgjidhje ligjore për të pasur zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. E para është që të arrihet ndonjë dakordim më i madh politik dhe kryetarët e rinj të japin dorëheqje. Ndërsa, mundësia e dytë arrihet nëse 20 për qind e votueseve me të drejtë vote nënshkruajnë njëlloj peticion apo kërkesë që i dërgohet kryetarit të Kuvendit përkatës komunal”, sqaron Cakolli.

Hulumtuesi i lartë i KDI-së, Eugen Cakolli

Cakolli thekson se duhet të organizohet një proces votimi ku qytetarët e komunave përkatëse të pyeten nëse janë për ose kundër shkarkimit apo largimit të kryetarit të komunës se tyre, pavarësisht se cila mund të jetë arsyeja. Ky veprim, sipas tij, është një minireferendum që kërkon të paktën 50 për qind plus një të votuesve që votojnë për largimin e kryetarëve.

Avokati Qëndrim Arifi, që në të kaluarën është marrë me çështje të qeverisjes lokale, thotë se Ligji për Vetëqeverisje Lokale ofron dy mundësi për zgjedhje të parakohshme: dorëheqjen e kryetarëve ose peticionin e qytetarëve.

Qëndrim Arifi, avokat

Duke pasur parasysh se shumë nga qytetarët me të drejtë vote nuk janë rezidentë, Arifi thotë se peticioni i bie të nënshkruhet së paku nga 30% e elektoratit. Ndërsa, shpjegon edhe pikëpyetjet mbi faktin që nuk ekziston ligji për peticione.

“Pra, bëhet fjalë për peticion shtetëror në krejt Republikën e Kosovës, ndërsa sa i përket rregullimit komunal, dihet se komunat kanë një autonomi vetëqeverisëse lokale dhe ky peticion flet vetëm për një çështje të caktuar dhe aspak nuk mund të jetë pengesë ligjore”, ka thënë ai.

Kurti: Për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, duhet krijuar kushte pa banda kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për mbajtjen e zgjedhjeve në veri ka thënë se duhet krijuar kushte pa banda kriminale.

“Ne kemi për ta mbrojtur kushtetutshmërinë. Këta katër kryetarë nuk shoh se do ta përfundojnë mandatin. Brenda muajsh mund të kemi zgjedhje, por nuk duhet të ketë banda. Duhet pasur kushte për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Kurti.

Nëse mbahen zgjedhje të reja në veri, KQZ e gatshme

Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është shprehur i gatshëm për organizimin e këtyre zgjedhjeve nëse ato shpallen.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për t’i përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka bërë të ditur KQZ.

Kriza në veri, por edhe në raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë, ka nisur si pasojë e veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat me ndihmën e policisë kanë mundësuar hyrjen në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të kryetarëve të rinj shqiptarë, më 26 maj.

Pikërisht më 26 maj, Policia e Kosovës ka ndihmuar kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok të hyjnë në objektet komunale – gjë të cilën popullata vendase serbe e ka kundërshtuar ashpër.

Kundërshtimet janë manifestuar me protesta, të cilat kanë rezultuar me përplasje të protestuesve më Policinë e Kosovës, por edhe me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, më 29 maj ku pati disa dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011.

Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika