Zyrtarët e lartë amerikanë i bëjnë trysni Izraelit të mbrojë civilët në Gazë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron po qëndron në Katar në përpjekje për të arritur një tjetër armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

Zyrtarët amerikanë ndërkaq po vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndaj Izraelit që të mbrojë jetën e civilëve në Gazë, ndërsa luftimet po intensifikohen.

Ushtria izraelite e ka zhvendosur ofensivën në jug të rajonit, ku sipas saj janë fshehur shumë udhëheqës të Hamasit.

Sot ushtria urdhëroi evakuimin e më shumë zonave në dhe rreth qytetit të dytë më të madh të Gazës, Khan Younis.

Bombardime të rënda u njoftuan gjatë natës dhe të dielën në qytetin Khan Younis si dhe në pjesën veriore të Gazës, ku deri më tani janë zhvilluar luftimet më të ashpra.

Shumë nga 2.3 milionë banorët e territorit janë grumbulluar në jug, pasi forcat izraelite urdhëruan civilët të largoheshin nga veriu në ditët e para të luftës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin shprehu vërejtjet më të forta deri më tani mbi nevojën që Izraeli të mbrojë civilët në Gazë.

“Në këtë lloj lufte, popullata civile është qendra e gravitetit. Nëse i shtyui civilët në krahët e armikut ju arrini që të zëvendësoni një fitore taktike me një disfatë strategjike. Unë ua kam bërë të qartë udhëheqësve të Izraelit në mënyrë të përsëritur se mbrojtja e civilëve palestinezë në Gaza është një përgjegjësi morale dhe një përparësi strategjike”, tha të shtunën Sekretari Austin ndërsa i drejtohej Forumit të Sigurisë Kombëtare Reagan në shtetin e Kalifornisë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi pas thirrjeve të vazhdueshme amerikane që të ketë kujdes me civilët duke thënë se vendi i tij nuk ka asnjë dëshirë të dëmtojë civilët.

Të dielën, ushtria izraelite zgjeroi urdhrat e evakuimit në dhe rreth qytetit Khan Younis, duke u kërkuar banorëve të së paku pesë zonave dhe lagjeve të tjera, që të largoheshin për hir të sigurisë së tyre.

Banorët thanë se ushtria izraelite hodhi afishe duke i urdhëruar ata të lëviznin në jug në Rafah ose në një zonë bregdetare në jugperëndim. “Qyteti Khan Younis është një zonë e rrezikshme lufte”, thuhej në afishe.

Kryeministri Netanyahu megjithatë e bëri të qartë se cili është qëllimi i Izraelit ndërsa lufta vazhdon.

“Për të përfunduar misionin e shenjtë të kthimit të të gjithë pengjeve, për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar që Gaza të mos ketë kurrë më një ent që edukon fëmijët e saj për terrorizëm dhe që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, ne vazhdojmë të luftojmë me të gjitha forcat tona. Për këtë po përgatiteshin luftëtarët tanë gjatë armëpushimit, për një fitore të plotë ndaj Hamasit”, thotë kryeministri Netanyahu.

Luftimet janë intensifikuar. Krahu ushtarak i Hamasit, Brigada Al Qassem lëshoi një deklaratë ku njoftoi se ka bombarduar Tel Avivin me një mori raketash si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite.

Në spitalin e qytetit Khan Younis në Gazë janë dërguar një mori të plagosurish të përgjakur, viktima të bombardimeve izraelite.

Të dielën forcat izraelite publikuan pamje të atyre që thonë se janë 800 hyrje tunelesh që çojnë në rrjetin e gjerë nëntokësor të bunkerëve të Hamasit. Izraeli thotë se shumë prej tyre ndodheshin në zona civile si nën shkolla, xhami, kopshte dhe kënde lojërash ndërsa kanë shkatërruar më shumë se gjysmën e tyre.

Para se të fillonte lufta, Hamasi kishte deklaruar se kishte ndërtuar qindra kilometra tunele, një rrjet aq i gjërë sa në madhësi mund të krahasohet me sistemin e metrosë së Nju Jorkut. Hamasi thotë se kishte ndërtuar tunelet për të shërbyer si baza operative.

Ndërkaq kanë vazhduar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Presidenti francez, Emmanuel Macron po qëndron në Katar.

Ai u takua me Emirin e Katarit, Al Thani me të cilin diskutoi për përpjekjet e vazhdueshme që të arrihet një armëpushim tjetër.

Jo zyrtarisht bëhet me dije një ekip i shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad është kthyer të shtunën në Katar për të vazhduar bisedimet për arritjen e një pauze të re në luftime.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari u përqëndruan në lirimin e mundshëm të kategorive të reja të pengjeve izraelitë, përveç grave dhe fëmijëve, dhe parametrat e një armëpushimi, të cilat sipas një burimi anonim që ka folur me agjencinë e lajmeve Reuters ndryshonin nga marrëveshja e armëpushimit që mori fund të premten.

Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për fundin e armëpushimit me Izraelin që thotë se Hamasi refuzoi të lirojë të gjitha gratë që mbante, ndërsa një zyrtar palestinez tha se mospajtimet u rritën për shkak se Hamasi refuzoi të lironte pjesëtaret gra të ushtrisë izraelite që janë marrë peng më 7 tetor.

Gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit Hamasi vrau 1200 njerëz dhe 240 të tjerë i morën peng. Të dhënat e Hamasit thonë se mbi 15 mijë palestinezë janë vrarë gjatë luftimeve që pasuan sulmin e 7 tetorit./ VOA

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika