Ish-presidenti Hashim Thaçi si asnjëherë më parë ka dhënë një deklaratë në sallën e gjyqit në Hagë, teksa në seancë doli për aktakuzën e re që Specialja ngrit të premtën ndaj tij dhe ish-ministrit të drejtësisës, Hajredin Kuçi, ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, e ish-luftëtarëve të UÇK-së, Isni Kilaj e Fadil Fazliu.
Thaçi aktakuzën e re e konsideron politike, pa çka tha se ai nuk është në garën elektorale në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë e nuk paraqet rrezik për askënd. Ai theksoi edhe se presin drejtësi për aktakuzën që mbahet në paraburgim që katër vite.
“Me siguri ju e dini që unë tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirinë e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës më së paku nga viti 1980 deri më sot. Pra është një proces voluminoz. E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, e presim drejtësinë për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas para dy ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik politik për askëndë”, e tha nën emocione Thaçi.
Veç kësaj Thaçi nënvizoi se beson në ligjet e Kushtetutën e Kosovës.
“Prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkoj edhe sot nga të gjithë në këtë sallë që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Sa i përket aktakuzës që Zyra e Prokurorit të Specializuar e ngrit ndaj tij dhe Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliu me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Thaçi nuk është deklaruar.
“Nuk kam pasur mundësi ta diskutoj shkaku i angazhimeve tjera që kam pasur në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana ju andaj do të deklarohem me kohë në përputhje me afatin ligjor dhe kushtetues”, u përgjigj Thaçi.
Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.
Ish-kreu i AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kreu arrestimet me mbështetjen e EULEX-it.
Fletarrestimi i lëshuar nga Gjykatësja e Procedurës Paraprake iu dorëzua Thaçit në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 5 dhjetor, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.
Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Gjykatëses së Procedurës Paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, “Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në kontekstin e gjykimit aktual Thaçi dhe të tjerët.
Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.