Ndonjëherë janë pesë.
Por ndonjëherë, nuk është as edhe një student.
Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci, tash e disa herë po e ngrit si shqetësim në rrjete sociale mungesën e studentëve në ligjerata e ushtrime.
E mungesat, sipas saj, janë duke u shpeshtuar.
“tash e gati gjashtë vite po vrehet tendenca e studentëve për mospjesëmarrje në ligjërata bile bile edhe në ushtrime që nuk ka ndodhë më herët e arsyeja mendoj se është e drejta e studentëve për kalim nga viti në vit pa përfundimin e provimeve paraprake”, ka thënë Hatixhe Latifi Pupovci, profesorëshë në Fakultetin e Mjekësisë.
Problematikën, Latifi tha ta këtë adresuar edhe në dekanat.
“Ata janë treguar të gatshëm për ta ndryshuar, dekani ka dal me një thirrje publike duke i ftuar studentët të marrin pjesë në ligjërata por të njëjtën kohë ata po vazhdojnë me të njëjtën qasje”, ka thënë Hatixhe Latifi Pupovci, profesorëshë në Fakultetin e Mjekësisë.
Nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë, në një përgjigje me shkrim thanë se nuk ka ndonjë bojkot që lidhet me profesoreshën Pupovci, por ngritën një kërkesë për avancim të formave të ligjërimit.
“Sa i përket çështjes së vijueshmërisë në ligjërata, kjo mbetet një sfidë e kahershme në Fakultetin e Mjekësisë, por nuk mund të reduktohet si përgjegjësi e studentëve. Kemi theksuar vazhdimisht se është e domosdoshme një reformim i qasjes didaktike, duke kaluar nga format tradicionale pasive në metoda më bashkëkohore dhe efektive, si mësimi i bazuar në raste (case-based learning), diskutimet interaktive dhe përfshirja më e theksuar e komponentës praktike.”- Besfort Racaj, Kryetar i Këshillit Studentor
Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, në një përgjigje për televizionin gjithashtu mohuan se bëhet fjalë për ndonjë bojkot ndaj proferoreshës në fjalë, por thanë se kanë mekanizma për monitorim të vijueshmërisë e të njëjtit po i avancojnë.
“Mungesat mbeten një çështje multifaktoriale, e ndërlidhur me natyrën e studimeve, ngarkesën akademike dhe angazhimet praktike të studentëve. Çdo shqetësim trajtohet në mënyrë institucionale dhe nuk ka një proces formal që dëshmon për një problematikë të strukturuar në këtë drejtim.” – Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë
Vijueshmëria, ka qenë një problematikë që e ka shoqëruar edhe në të kaluarën këtë fakultet, që edhe ashtu nuk ka numër të madh të studentëve.