Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet D.Z., për dy vepra penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas aktakuzës, më 5 mars 2026, rreth orës 02:00, në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, i pandehuri dyshohet se ka ndërmarrë veprime me qëllim të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit, duke prishur rendin publik.
Gjatë një aktiviteti publik të organizuar për iftar në muajin e Ramazanit, ai dyshohet se me një mjet të mprehtë ka dëmtuar flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë, si dhe ka shprehur publikisht fyerje ndaj këtij simboli.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, nga një datë e pacaktuar deri më 12 mars 2026, i pandehuri ka poseduar pa leje një armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin në fuqi.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në trajtimin e rasteve të tilla, në përputhje me ligjin dhe në respekt të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike.