Deputetja Albena Reshitaj ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit është në fazë të rëndësishme dhe se tashmë janë në garë dy kandidate, ndërsa ka përmendur edhe mundësinë e një kandidature të tretë.
Ajo tha se LDK ka dorëzuar nënshkrimet dhe është shprehur e gatshme të marrë pjesë në proces, duke shtuar se pret që deputetët e kësaj partie të jenë të pranishëm në seancë.
“LDK ka treguar nënshkrimet dhe ka thënë që është e gatshme për të qenë pjesë e zgjedhjes së presidentit dhe të vijnë në sallë. Tashmë i kemi dy kandidate për presidente. Gjithashtu kam dëgjuar që nga LDK është e mundur të jetë kandidate ish-presidentja Vjosa Osmani”, ka deklaruar Reshitaj.
Ajo shtoi se pret reflektim nga LDK dhe PDK, duke theksuar se kandidatet e përmendura janë figura me vlera.
“Unë pres reflektim nga ta edhe nga PDK sepse të tri gratë janë gra që kanë vlera”, u shpreh ajo.
Reshitaj, ka deklaruar se të gjithë deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi.
Ajo tha se deputetët kanë përgjegjësi institucionale dhe kushtetuese për të qenë të pranishëm dhe për të kontribuar në zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Ne jemi të obliguar para qytetarëve dhe para Kushtetutës që të jemi prezent në seancën parlamentare ku zgjidhet presidenti i Kosovës. Mendoj se çdo deputet duhet të jetë në seancë dhe të bëjë përpjekje për t’i dhënë vendit president”, ka deklaruar Reshitaj.
Ajo shtoi se Kosova ka nevojë për president dhe jo për zgjedhje të reja, duke theksuar se çështja është më e rëndësishme se kalkulimet politike.
“Kosova ka nevojë për president, jo për zgjedhje. Është përtej kalkulimeve politike”, u shpreh ajo.