Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se situata aktuale politike është ndryshe nga çdo periudhë tjetër në Kosovën e pasluftës.
Ai i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalojë procesin e votimit të presidentit, duke theksuar se ruajtja e pushtetit dhe ardhja në pushtet duhet të bëhen vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe demokracisë.
Haradinaj tha se qytetarët, si sovran, kanë të drejtë të reagojnë përmes formave demokratike, përfshirë edhe protestat, nëse vlerësohet e nevojshme.
“Nëse shkojmë në këtë rrugë të rrezikshme, ne po rrënojmë funksionet bazë kushtetuese dhe nuk na mbetet rrugë tjetër përpos t’i drejtohemi qytetarit, sovranit, që të mobilizohemi të gjithë dhe ta mbrojmë kushtetutshmërinë e Kosovës… E kemi detyrë, e kemi obligim dhe unë besoj që sovrani e ka këtë të drejtë jetike në këtë vend. Kuptohet, me veprime që sovrani vetë i përcakton, që mund të jenë protesta apo veprime të tjera të përshkallëzimit që vlerësohen të nevojshme”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në proces, përfshirë kandidatet për presidente dhe deputetët, që të mos bëhen pjesë e shkeljes së Kushtetutës.
“Kushdo që bëhet pjesë e veprimeve që cenojnë rendin kushtetues, mbulohet me turp”, ka deklaruar Haradinaj.