Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit ka nisur, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në procesin e votimit.
Haxhiu, ka deklaruar se deputetët e opozitës kanë obligim kushtetues të marrin pjesë në punimet e Kuvendit dhe të mos bojkotojnë procesin.
Ajo ka theksuar se nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar për arsyet e mungesës së deputetëve opozitarë dhe se, sipas saj, Kushtetuta dhe praktikat e Gjykatës Kushtetuese i obligojnë të gjithë deputetët të jenë të pranishëm në seancat plenare.
Ajo theksoi se, sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit është çështje e rëndësisë së veçantë dhe kërkon pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, përveç rasteve kur mungesa është e lejuar nga kryetari i Kuvendit.
Haxhiu më pas ka thirrur me emra deputetët e opozitës që nuk ishin të pranishëm, duke u bërë thirrje të kthehen në sallë dhe të marrin pjesë në procesin e votimit.
Seanca fillimisht ishte paraparë të niste në orën 10:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shtyu atë, me arsyetimin se dëshiron t’i japë kohë opozitës për të marrë pjesë.
Deputetët e partive opozitare nuk u futën fare në seancën e sotme.
Ata e bojkotuan edhe seancën e 27 prillit.
Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.