Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.
Sipas komunikatës, ndalimi është bërë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas veprimeve hetimore të realizuara nga Prokuroria në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prishtinë.
Hetimet kanë mundësuar identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe pajisje elektronike, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti po trajtohet në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe se institucionet mbeten të përkushtuara në luftimin e këtyre veprave penale.