Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për politikat energjetike, duke e akuzuar për dështime strategjike që, sipas tij, i kanë kushtuar vendit qindra miliona euro.
Në një reagim në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se ndërkohë që Kosova po paguan shuma të mëdha për energjinë, përfshirë, sipas tij, pagesa që përfundojnë në Serbi përmes ndërmjetësve të lidhur me pushtetin.
“Përderisa Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, Shqipëria firmosi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan, e cila do t’i sigurojë furnizim stabil me energji dhe kosto të ulët.
Kurti, sapo erdhi në pushtet, u kujdes që ndër vendimet e para të tij të ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan.
Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup–Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.
Sigurisht, Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës e as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike”, ka shkruar Haradinaj.