Mallorca ka marrë një tjetër goditje në luftën për mbijetesë në La Liga, pasi u mposht 2:0 në udhëtim nga Levante, në kuadër të xhiros së parafundit të kampionatit spanjoll.
Pas humbjes 3:1 ndaj Getafe javën e kaluar, Mallorca dështoi sërish të marrë pikë vendimtare.
Golashënues për Levanten ishin Carlos Espi në minutën e 31-të dhe Kevin Arriaga në minutën e 86-të, duke i siguruar ekipit vendas një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Në minutën e 85-të, të dy skuadrat mbetën me nga një lojtar më pak.
Johan Mojica u ndëshkua me karton të kuq pas kapjes për flokësh të kundërshtarit, ndërsa Roger Brugué u përjashtua për goditje me dorë në fytyrë.
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi luajti gjatë gjithë ndeshjes për Mallorcan, por nuk arriti të gjejë golin. Ai mbetet me 22 gola të shënuar këtë sezon në elitën spanjolle.
Pas kësaj humbjeje, Mallorca ka rënë në pozitën e parafundit me 39 pikë, ndërsa Levante është ngritur në vendin e 16-të me 42 pikë, aq sa kanë edhe Osasuna dhe Elche.
Në zonën e rënies ndodhet edhe Girona me 40 pikë, ndërsa java e fundit do të jetë vendimtare për ekipet që synojnë mbijetesën.
Mallorca në xhiron e fundit do të përballet në shtëpi me Real Oviedo, skuadër që tashmë ka rënë nga La Liga dhe mban vendin e fundit me 29 pikë.