Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, është përballur me pyetje të drejtpërdrejta nga një gazetare serbe lidhur me gjendjen shëndetësore të Nenad Raskoviqit dhe arsyet e transportimit të tij për trajtim në Beograd.
Gazetarja kërkoi sqarime nëse ishte marrë dokumentacioni mjekësor dhe, veçanërisht, pse ishte konsideruar i nevojshëm transportimi i pacientit në Beograd, kur më herët ishte raportuar se gjendja e tij ishte stabile.
“A ishte e nevojshme që pacienti të transportohej në Beograd, duke pasur parasysh deklaratën e mëngjesit, pra, nga ana mjekësore po ju pyes, ku u tha se gjendja ishte stabile?”, pyeti gazetarja.
Elek e kundërshtoi këtë konstatim, duke thënë se ai personalisht nuk kishte deklaruar se gjendja e pacientit ishte stabile.
“Nuk e di kush ka deklaruar këtë mëngjes se gjendja ishte stabile. Unë kam dhënë deklaratë mbrëmë dhe kam thënë se gjendja ishte jostabile. Këtë mund ta verifikoni shumë lehtë”, tha Elek.
Gazetarja iu përgjigj se kishte parë edhe deklaratën e mjekut kujdestar, duke e rikthyer vëmendjen te informacionet fillestare të dhëna për gjendjen e pacientit.
Elek tha se vlerësimet e para ishin bërë gjatë fazës së diagnostikimit dhe se më pas vendimi për transportimin e pacientit ishte marrë nga kolektivi i mjekëve.
“Kur bëhet fjalë për pacientët më të rrezikuar në njësinë e kujdesit intensiv, kurrë nuk vendos vetëm një mjek, por vendos kolektivi i mjekëve”, deklaroi Elek.
Sipas tij, pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, mjekët kishin konstatuar se pacienti duhej të dërgohej për trajtim të mëtejshëm në Beograd.
“Kolektivi i mjekëve këtë herë ishte i mendimit se, për shkak të gjendjes së paqëndrueshme shëndetësore, një pacient i tillë duhet të transportohet në institucionin tonë më eminent shëndetësor, që është Qendra Klinike Universitare e Serbisë”, tha ai.
Gazetarja e pyeti Elekun edhe nëse inspektorët e Policisë kishin shkuar tek ai dhe nëse kishin marr dokumentacion.
“Tek unë nuk ka ardhur askush dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Ata kanë qenë për të marrë deklaratë nga pacienti”, u përgjigj Elek.
Ai shtoi se dokumentacioni mjekësor, sipas tij, nuk mund të dorëzohet pa një urdhër përkatës të gjykatës.
“Dokumentacioni mjekësor nuk mund të nxirret nga spitali dhe as t’i jepet dikujt në asnjë mënyrë pa urdhër të gjykatës”, deklaroi kryetari i Listës Serbe.
Sa i përket shkallës së lëndimeve të Raskoviqit, Elek tha se një vlerësim përfundimtar mund të bëhet vetëm pasi të përfundojë trajtimi i tij.