Sorensen thotë se s’ka datë për përmbylljen e dialogut – s’planifikon vizitë të posaçme për “Kalludrën”

Në Prishtinë qëndroi në fund të korrikut, por nga zyra e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd, Peter Sorensen, nuk u dha ndonjë njoftim nëse në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ai e përmendi edhe çështjen e personave të zhdukur. Kjo, ani se ato ditë autoritetet kosovare njoftuan për gjetjen e mbetjeve mortore në Kalludër të Zubin Potokut.

Por, vet diplomati danez nuk vlerëson se një reagim i tij publik, apo edhe vizitë në Kosovë enkas për këtë rast, do të ndikonte në zbatimin më efikas të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Këtë, ai e bëri të qartë në një intervistë me shkrim për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, pak ditë pasi Kryenegociatori i Kosovës, Agron Bajrami, i dërgoi një letër duke shprehur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet e fundit për personat e zhdukur dhe duke i bërë thirrje BE-së të sigurojë që Serbia t’i zbatojë plotësisht angazhimet e saj. Emisari nuk e konfirmon as nëse iu përgjigj letrës.

“Zbulimi i mbetjeve njerëzore në Zubin Potok ka të bëjë, para së gjithash, me familjet që më në fund mund të marrin një përgjigje pas dekadash pasigurie dhe mosdijeje. Ne e ndjekim nga afër procesin e gërmimit dhe arrestimet që lidhen me të. U kam bërë të qartë të gjithëve se ritmi duhet të përshpejtohet dhe se informacioni përkatës duhet të ndahet pa vonesë. Këtë çështje e ngre në Prishtinë dhe në Beograd sa herë që më jepet mundësia”, tha ai në përgjigjet kthyer KosovaPressit. “Ajo që ka rëndësi për familjet nuk është thjesht një vizitë, por përparimi i vazhdueshëm – kjo është ajo që dialogu për normalizim u detyrohet atyre që janë ende në pritje”.

Sorensen pohon se për shkak të peshës humanitare, çështja e personave të zhdukur, ka qenë një prioritet që kur e ka marrë detyrën.

“Ajo nuk është, dhe nuk mund të jetë, një mjet pazari në Dialog. Është një detyrim humanitar dhe unë e vlerësoj atë sipas një kriteri të vetëm: nëse familjet marrin më në fund përgjigje. Fuqia për t’i dhënë ato përgjigje u takon Palëve. Ne jemi të gatshëm të lehtësojmë këtë proces”, thotë zyrtari i lartë evropian.

Kësisoj, ai rikujton obligimet që kanë marrë palët me “Deklaratën për Personat e Zhdukur”

“Deklarata për Personat e Zhdukur është e qartë: të dyja palët u zotuan të bashkëpunojnë për identifikimin e vendvarrimeve dhe të shkëmbejnë të gjithë informacionin përkatës – përfshirë materialet e klasifikuara – të nevojshëm për të gjetur dhe identifikuar personat që u zhdukën midis viteve 1998 dhe 2000. BE-ja pret që këto zotime të përmbushen plotësisht. Komisioni i Përbashkët u themelua në janar të vitit 2026 dhe u mblodh për herë të parë në Bruksel në muajin prill. Ne jemi të gatshëm të organizojmë takimin e radhës sapo palët të jenë gati”, përgjigjet ai.

Sipas tij, dialogu Beograd-Prishtinë shpesh gjykohet përmes datave, fotografive dhe titujve të lajmeve, por do të duhej të ishte ndryshe.

“Unë e gjykoj atë sipas një kriteri të vetëm: nëse sjell rezultate për njerëzit të cilëve ka për qëllim të ju shërbej. Ky standard përshkon gjithçka – nga çështja e personave të zhdukur te Marrëveshja e Ohrit dhe te vetë ritmi i dialogut”, thotë ai.

Dhe, këmbëngulë se të dyja palët e kanë obligim ndërkombëtar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ani se Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq, mund të arsyetohen se nuk i kanë vënë firmat e tyre në këtë ujdi.
Këtë, diplomati danez e thotë shumë qartë.

“Më lejoni të jem i saktë në një pikë, sepse shpesh keqkuptohet: Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është ligjërisht e detyrueshme sipas së drejtës ndërkombëtare, me ose pa nënshkrime. Pëlqimi për t’u bërë palë në një marrëveshje nuk kërkon domosdoshmërisht nënshkrim – ai mund të shprehet edhe në mënyra të tjera, dhe në këtë rast ashtu ndodhi“, tha ai në përgjigjet e dërguara lidhur me nivelin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. “Të dyja palët u pajtuan për tekstin në Ohër dhe nuk paraqitën asnjë kundërshtim kur BE-ja përcaktoi mënyrën se si do të regjistrohej pëlqimi i tyre”

Për më tepër rikujton se edhe vetë “Përfaqësuesi i Lartë konfirmoi me shkrim natyrën detyruese të Marrëveshjes më 18 mars 2023 dhe ky ka qenë qëndrimi i BE-së që atëherë”.

Kjo, derisa pranon se “jetësimi i saj mbetet nën nivelin ku duhet të jetë”, dhe se këtë ua ka thënë ”publikisht dhe në mënyrë të përsëritur”, si Beogradit ashtu edhe Prishtinës, por edhe Komisionit  Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së.

“Ajo që mungon nuk janë nënshkrimet, por zbatimi. Pikërisht këtu duhet përqendruar energjia”, shkruan Sorensen.

Andaj shqetësimet e Kosovës thotë t’i ketë dëgjuar dhe t’i ketë shqyrtuar mënyrat për ta konsoliduar edhe më tej Marrëveshjen. Por kjo, sipas tij,  duhet të shërbejë si “nxitje për zbatim, jo ​​si zëvendësim i saj”.

Nuk ka datë për përmbylljen e dialogut

Me këtë logjikë, lehtësuesi i dialogut thotë se i qaset edhe “Takimit të Nivelit të Lartë” , kur pyetet nëse ka një datë për përballjen e radhës midis Kurtit dhe Vuçiqit.

“Ai (takimi) nuk është as shpërblim dhe as mundësi për fotografi. Ai thirret kur mund të ndihmojë në arritjen e rezultateve, dhe Përfaqësuesja e Lartë është e gatshme ta thërrasë atë kur të dy liderët të jenë gati për të sjellë rezultate konkrete”, i tha Sorensen KosovaPressit.

Por, emisari evropian, nuk ka përgjigje pozitive në pyetjen nëse Bashkimi Evropian e ka një afat kohor apo një synim për përmbylljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi?

“Nuk kam një datë për të njoftuar lidhur me takimin e radhës të kryenegociatorëve. Përgatitjet vazhdojnë dhe unë jam në kontakt të rregullt me ​​të dyja delegacionet për të përcaktuar se kur një takim mund të sjellë rezultate. Gjithashtu, nuk do të caktoj një afat kohor për përmbylljen e Dialogut në tërësi: ajo që ka rëndësi është që të dyja palët të zbatojnë atë për të cilën tashmë kanë rënë dakord. Përparimi, e jo kalendari, është kriteri im matës”, shprehet diplomati.

Ai rikujton se takimi i nivelit të lartë shërben për angazhimin politik në procesin e normalizimit, andaj “mungesa e Kryeministrit nuk do të çonte përpara procesin e mbajtjes së përgjegjësisë”. Këtë e thotë derisa pyetet për qëndrimin e Kurtit se një nga kushtet e tij për pjesëmarrje në një takim tjetër të nivelit të lartë është ekstradimi i Milan Radoiçiqit nga Serbia në Kosovë.

“Mbajtja e përgjegjësisë për ngjarjet në Banjskë është thelbësore. Thirrja e BE-së ka qenë e qartë dhe e vazhdueshme, dhe ne e përsërisim atë në çdo komunikim me autoritetet serbe: presim që Beogradi t’i arrestojë dhe t’i vërë para drejtësisë autorët e sulmeve të vitit 2023”, përsërit ai, qëndrimin e unionit.

 

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika